Incidentet, reagojne Policia e Shtetit dhe ministrja Nikolla

11/09/2014 00:00

Pas incidenteve mes tifozerive të të dy ekipeve, Vllaznisë dhe Tiranës, gjatë dhe pas ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Loro Borici” të Shkodrës, ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila njofton se tashmë situata është normalizuar, ndërsa thekson se ndërhyrja e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

“Do të merren të gjitha masat për identifikimin dhe vënien para përgjegjësive të autorëve të këtyre incidenteve, si dhe do të ndërmerren masat ligjore edhe ndaj organizatorëve të aktivitetit”, deklaroi në njoftimin për shtyp Policia e Shtetit. Ndërsa sa u përket tifozëve të Tiranës, policia tha se ata do të shoqërohen nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ndërkohë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila është shprehur se “ajo që ndodhi në Shkodër është një turp për të gjithë shqiptarët. Dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë për futbollin, ndaj dhe do të merren masat urgjente, pa neglizhuar asnjë përgjegjës”, është shprehur ministrja Nikolla.

Në fund, ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se ky turp që ndodhi në Shkodër nuk duhet të përsëritet më.

Me një deklaratë për shtyp ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili i ka dënuar gjithashtu aktet e dhunës në stadium.

Por kryebashkiaku i kryeqytetit ka shprehur pakënaqësinë e tij për rolin e policisë, sipas të cilit  ka qenë aspak profesional.

Top Channel