Euro 2016, Anglia fiton në Zvicër

09/09/2014 00:00

Spanja dhe Anglia e kanë nisur mbarë aventurën për në Euro 2016, ndërkohë që Suedia mori një pikë pas barazimit 1-1 në transfertën e vështirë të Austrisë.

Pas turpërimit në Brazil 2014, sfida e parë për Spanjën, kampionen e Europës në fuqi, ka rezultuar një ndeshje kontrolli, pasi skuadra e del Bosque shkatërroi në Valencia 5-1 kombëtaren maqedonase.

Një rezultat dhe një lojë që tregon qartë se iberikët nuk do të lënë hapësira për surpriza në këto eliminatore.

Anglia e Roy Hodgson mposhti 0-2 në Zvicër kombëtaren vendase, në të cilën luajtën 4 futbollistë shqiptarë. Heroi i fitores angleze ishte sulmuesi i Arsenalit, Danny Welbeck, autori i të dy golave.

Fitore të thellë mori edhe Rusia e Capello-s, e cila mundi 4-0 Lihtenshtajnin. Së bashku me Rusinë, në vendin e parë të grupit G është ngjitur edhe përfaqësuesja e Malit të Zi, e cila mposhti 2-0 Moldavinë falë golit të Vuçiniç dhe Tomaseviç.

Top Channel