Pirlo, një ndihmë më shumë për Conten

08/09/2014 00:00

Fantazisti i Italisë dhe Juventusit, Andrea Pirlo, ka bërë të ditur se ka ndërmend të vazhdojë të luajë me ekipin kombëtar, pavarësisht se kishte lënë të kuptohej se pas Botërorit të Brazilit, në moshën 35-vjeçare, do të ishte koha e duhur për t’u tërhequr nga “axurrët”.

Kam folur me trajnerin e ri të Italisë, Antonio Conte, i cili më kërkoi nëse isha i gatshëm të luaja sërish për Italinë, dhe sigurisht që i thash po”, tregon ylli i Juventusit për “Gazzeta dello Sport”. “Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë. Doja të ndalesha dhe të tërhiqesha nga kombëtarja, por Conte më kërkoi t’i ofroja edhe më shumë kombëtares. Jam i lumtur që do ta bëj këtë, por shpresoj që të arrijmë gjëra të mëdha së bashku”.

Conte ka qenë trajner i Pirlos te Juventusi përgjatë 3 sezoneve të fundit, gjatë të cilave bardhezinjtë fituan titullin e Serie A tri herë radhazi, përpara se tekniku puljez (nga Lecce) të zëvendësonte Cesare Prandellin në postin e trajnerit të kombëtares së Italisë.

Pirlo nuk do të mund të luajë deri në Tetor, për shkak të një dëmtimi në ije, gjë që do të thotë se nuk mund të aktivizohet në ndeshjen kualifikuese për Europianin 2016 ndaj Norvegjisë, në Oslo, të martën.

Top Channel