Tiranë, qëllon gruan dhe më pas veten

06/09/2014 00:00

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sërish kryeqytetin pasditen e kësaj të shtune. Një 28-vjeçar qëlloi me armë bashkëshorten e tij dhe më pas vrau veten në rrugë, duke shokuar të gjithë banorët e rrugës “Tefta Tashko Koço”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17, në zonën e Yzberishtit. I riu Elton Cenko, pas një grindjeje me bashkëshorten e tij Anxhela, 3 vjet më e re, e qëlloi atë me armë zjarri.

Nga shoku i pësuar nga rrethanat në të cilën ndodhej, ai ka dalë poshtë banesës së tij dhe ka qëlluar edhe veten duke ngelur i vdekur.

Policia dalloi shenja jete tek 25-vjeçarja e qëlluar dhe e transportoi atë menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku vajza vazhdon të jetë në gjendje kritike.

 Policia filloi hetimet për shkaqet e këtij krimi të rëndë brenda familjes. Gjatë marrjes në pyetje të fqinjëve të çiftit u mësua se pak para të shtënave ishin dëgjuar grindje të shumta mes të dyve.

Dyshimet e para të policisë e çojnë atë drejt versionit se motivi i vrasjes mund të ketë qenë xhelozia. Çifti kishte pak kohë që ishte martuar dhe mes dy partnerëve kohët e fundit situata ishte acaruar.

Top Channel