Dunga e nis mirë me Brazilin

06/09/2014 00:00

Hakmarrje personale e Neymar, i cili rezulton deciziv në fitoren 1-0 të Brazilit, në miqësoren kundër Kolumbisë në “Sun Life” të Miamit, në SHBA.

Në atë që konsiderohet si “ripërsëritje” e çerekfinales së Botërorit të fundit, në të cilën ylli i Barcelonës mbeti i dëmtuar dhe u dërgua menjëherë në spital pas përplasjes me Zunigan, “Selecao” e drejtuar tashmë nga Dunga ka mposhtur rivalët “Cafeteros”, falë një goli nga goditja e dënimit nga kapiteni i ri i brazilianëve, në minutën e 83-të.

Dunga ka vendosur t’ia heqë shiritin e kapitenit Thiago Silvas, i cili mungonte në këtë miqësore, dhe t’ia jepte talentit të rritur te Santosi, i cili konsiderohet si lideri karizmatik, jo vetëm teknik, i grupit të “Selecaos”.

Neymar nuk e ka tradhëtuar dhe ka mundur të transformojë në gol një goditje dënimi, nga shumë pranë zonës së rreptësisë, duke shmangur murin mbrojtës, me të djathtën e tij, duke mposhtur kështu portierin Ospina. Ky ishte goli i 36 i tij me kombëtaren, duke u renditur kështu i gjashti mes golashënuesve më të mirë të “Selecaos”.

Të shtumtë kanë qenë yjet në fushën e stadiumit të Miamit, nga David Luiz dhe Oscar, e deri te James Rodriguez, Jackson Martinez dhe Falcao, teksa edhe ky i fundit është rikthyer me kolumbianët, pas mungesës në Botëror për shkak dëmtimi. Por, edhe në këtë miqësore nuk ka munguar kartoni i kuq, i dhënë për Cuadradon e Fiorentinës, për shkak të kartonave të verdhë për dy ndërhyrje të gabuara.

Top Channel