F1, Monza, Rosberg kryeson provat e lira

05/09/2014 00:00

Çfarëdo që të ndodhë, sado që të ndryshojnë faktorët klimatikë apo pistat e garimit, Mercedes mbetet gjithnjë makina më e shpejtë këtë sezon.

Këtë e ka treguar edhe në sesionin e dytë të provave të lira, të së premtes, në Monza.

Është sërish Nico Rosberg, ai që rrëmben vendin e parë me kohën më të mirë prej 1’26’’225, ndërsa pas tij renditet shoku i skuadrës, Lewis Hamilton, me vetëm 61 të mijtat më shumë, por që u detyrua të qëndronte në bokse më 1 orë, për shkak të një problemi elektronik në motorr.

Pas tyre janë renditur dy Ferrarit, por këtë herë Raikkonen ka mundur të dalë përpara shokut të tij, spanjollit Fernando Alonso. Kohët respektive të tyre janë 0’’106 dhe 0’’340 më shumë se sa vendi i parë.

“Kokëkuqja” duket që ka punuar shumë, mbi të gjitha funksionalitetet e makinës për këtë garë, teksa të dhëna të mira kanë rezultuar edhe nga gomat e forta, e mbi të gjitha nga njëvendëshja e finlandezit, i cili duket se është rikthyer në gjendjen optimale pas vendit të 4 në “Spa” të Belgjikës.

Alonso në fakt e përfundoi disi më herët këtë sesion provash të lira, kjo për shkak të një problemi në makinën e tij.

Më pas janë renditur Bottas me Williamsin e tij, ndërsa shumë prapa duken se kanë mbetur dy makinat e Red Bullit, me Vettel në vendin e 7 dhe Ricciardo në të 10-tin.

Çmimin e Madh të Monzas do të mund ta ndiqni drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD, me provat zyrtare ditën e shtunë më 14:00 dhe garën të dielën në të njëjtën orë.

Top Channel