Ferrari, Alonso: Në Monza synoj podin

04/09/2014 00:00

Çmimi i Madh i Monzas në Itali është si gjithmonë më i mirëprituri mes tifozëve italianë të Formula 1, e sidomos atyre të Ferrarit, skuderi e cila gjatë 4 viteve të fundit ka shkuar gjithnjë në pod me Fernando Alonson.

Në konferencën për shtyp në vigjilje të kësaj gare, që do të zhvillohet këtë fundjavë, piloti spanjoll premton të shkëlqejë. “Kjo është një nga garat më të rëndësishme për ne, përgjatë gjithë vitit. Shpresoj që të mund të ngjitem sërish në podium, siç kam bërë gjatë 4 viteve të fundit, edhe pse e di që do të jetë e vështirë”.

Alonso kthehet më pas edhe te sfida me Magnussen, në “Spa” të Belgjikës, që i kushtoi 2 sekonda penalizim pilotit të McLarenit. “Isha disi më mbrapa se ai. U përpoqa të shfrytëzoja të vetmen mundësi, dola jashtë piste dhe drejtuesit e garës vendosën të më penalizonin sepse kisha kaluar mbi shiritin e bardhë”.

Nuk mund të mungonte edhe një përgjigje e tij në lidhje me betejën e brendshme te Mercedesi, mes Rosberg dhe Hamilton. “Nuk mund të luaj rolin e ambasadorit të paqes për ata të dy. Në vitin 2007, aventura ime te McLaren nuk shkoi shumë mirë, por me Lewis nuk kam pasur kurrë probleme. Edhe pse nuk isha i kënaqur me mënyrën se si menaxhoheshin gjërat në ekip, por tashmë kam raporte të mira me të. Rosberg dhe Hamilton duelojnë për titullin, ndaj ky është problem i tyre”, tha Alonso.

Top Channel