F1, Rosberg: Kërkoj falje, s’më ka detyruar kush!

04/09/2014 00:00

Formula 1 ka zbarkuar në Monza, e megjithatë është e paevitueshme të kthehet koka pas, nga Çmimi i Madh i “Spa Francorchamps”, në Belgjikë.

Dy javë pas incidentit mes Nico Rosberg dhe Lewis Hamilton në garën e fundit, “fraktura” te Mercedesi duket se tashmë është zhdukur.

“Koha më ka bindur që duhet të kërkoj falje, por nuk më ka detyruar askush, – thekson shkurtimisht gjermani. – Pas një jave reflektimesh, kam kuptuar se kam gabuar në atë rast”.

Edhe piloti britanik është shprehur gjithashtu optimist: “Jam entuziast, pasi shoh të mundur të bëjmë një hap para, duke kthyer faqet e vjetra”.

Rosberg i është rikthyer incidentit të Belgjikës me pendime, duke thënë se “nuk jam krenar për gjërat që ndodhën në Spa, por dua të kontribuoj për të rritur nivelin e argëtimit në këtë sport. Gjë që e kemi bërë shpesh herë me duelet tona. Në Belgjikë bëmë diçka në mënyrë të gabuar, por ndoshta erdhi edhe si pasojë e rivalitetit frontal gjatë gjithë sezonit. Sa i përket ofendimeve në podium, sigurisht që nuk ishte diçka e bukur, por i kuptoj të gjithë tifozët”.

Top Channel