US Open, kualifikohen Federer dhe Vozniacki

03/09/2014 00:00

Roger Federer vazhdon aventurën e tij në turneun US Open. Tenisti zviceran u kualifikua për në çerekfinalen e këtij aktiviteti pasi mundi në raundin e katërt Roberto Bautistën me rezultatin 3-0. Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga numri 3 i renditjes botërore i cili i fitoi setet me rezultatin 6-4, 6-3 dhe 6-2.

Në çerekfinale Federeri do të përballet me francezin Gael Monfils i cili mposhti bullgarin Grigor Dimitrov në 3 sete. Ishte një ndeshje e ekuilibruar dhe Monfils arriti të fitojë setet e këtij takimi 7-5, 7-6 dhe 7-5. Federer dhe Monfils deri tani janë përballur 9 herë me njëri-tjetrin me zviceranin që ka bilancin e tij në favor me 7 fitore kundrejt 2 të francezit.

U kualifikua për në çerekfinale të US Open edhe Marin Ciliç, i cili fitoi një ndeshje maratonë me Zhil Simon. Tenisti kroat u desh të siguronte këtë sukses vetëm në setin e pestë 6-3, ndërkohë që 4 setet e parë ishin mbyllur 5-7, 7-6, 6-4, 3-6. Kuindërshtari i radhës për Ciliç do të jetë çeku Tomas Bërdiç.

Për femra, Karolin Vozniacki vazhdon të tregojë një formë shumë të mirë. Tenistja daneze u kualifikua për në gjysmëfinale pas një fitoreje të lehtë me Sara Erranin. Ish-numri 1 i renditjes botërore ishte shumë agresive në lojën e saj duke mos i lënë asnjë opsion rivales së saj italiane duke i mbyllur setet 6-0 dhe 6-1.

Vozniacki do të ketë si kundërshtare të radhës kinezen Peng Shuai. Edhe kjo e fundit shënoi një fitore të lehtë ndaj 17-vjeçares zvicerane Belinda Bençiç. Peng Shuai i mbylli llogaritë e kësaj përballjeje në vetëm 64 minuta lojë duke i fituar setet 6-2 dhe 6-1.

Top Channel