Hetimet për vrasjen e të moshuarave

03/09/2014 00:00

Ende e pazbardhur vrasja makabre e dy të moshuarave në lagjen 11 të qytetit të Durrësit.

Policia lokale ka ngritur akuzën e grabitjes me pasojë vdekjen, ndërsa burime nga grupi hetimor hedhin dyshime mbi autorë të paguar për të krijuar skenën e grabitjes, pas eliminimit fizik të grave.

Gjatë 24 orëve të fundit, numri i të shoqëruarve në polici ka shkuar në afro 30, por ende nuk ka të ndaluar. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar deri tani, pasi kanë hyrë në banesë, kanë ushtruar dhunë ndaj dy shtetaseve me pasojë vdekjen, duke arritur të marrin një shumë prej 200.000 lekësh; ndaj pjesa më e madhe e të shoqëruarve kanë qenë persona me precedentë penalë në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe përdorimit të narkotikëve.

Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur të mërkurën se e ka klasifikuar ngjarjen në “vjedhje me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim” dhe po punon për identifikimin e autorëve. Por, marrja në banesë e kësaj shume parash dhe “rrëmuja” e bërë nga autorët, dyshohen të jenë veprime të qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga motivet e vërteta të ngjarjes.

Në katin e dytë të shtëpisë mungojnë gjurmët e lëna nga autorët, të cilët – pavarësisht dinamikës që pasqyrohet nga situata në shtëpi – kanë vepruar në qetësi, pa zhurmë.

Motra e paralizuar e njërës prej viktimave nuk ka dëgjuar zhurma të çuditshme nga kati i sipërm. Këto elementë shtojnë dyshimet për një vrasje me paramendim, ndërkohë pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë edhe faktin nëse dhunimi i grave, që u gjetën të lidhura dhe me qese plastmasi në kokë, është bërë para apo pas vdekjes së tyre.

Hetimet e çështjes “Vava” po drejtohen nga prokurori i rrethit të Durrësit, Besim Hajdarmataj. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se po punohet njëkohësisht në të dyja pistat, atë të konflikteve për motive pronësie dhe grabitjes. Dy kunatat, Gjenovefa dhe Elsa Vava, përkatësisht 77 dhe 72 vjeçe, u lidhën këmbë e duar dhe u vranë në shtëpinë e tyre dykatëshe, në Durrës.

Top Channel