Jorge Mendes, “Oscari” i agjentëve të futbollit

03/09/2014 00:00

Mino Raiola mund të duket si një amator, kur përmendet emri Jorge Mendes, i mbiquajturi “Mbreti i merkatos”… të paktën për këtë vit!

“Oscar”-i i agjentit më të mirë në fushën e futbollit, këtë merkato verore i shkon portugezit, një çmim i cili është fituar falë 3 “operacioneve” të bujshme: James Rodriguez nga Monaco te Real Madrid; Di Maria nga Real te Manchester Junited, teksa te “djajtë e kuq” është transferuar edhe Falcao, nga skuadra e Principatës.

Tre transferime që i kanë dhuruar menaxherit të sportistëve rreth 30 milionë euro fitime. Agjenti i fuqishëm është konfirmuar edhe këtë herë si një prej personave me transferime tepër të rëndësishme.

Kjo, pasi këtë verë agjenti, i cili ka nën kontrollin e vet edhe Cristiano Ronaldon dhe Mourinhon, ka qenë personazhi me më pak fjalë ndaj gazetarëve, por arkitekt i goditjeve më të bujshme të merkatos. Komisionet e tij janë të shtrenjta, por ai di mirë t’i kënaqë të gjitha palët, kur bëhet fjalë për një tratativë.

Çmimi i këtij viti vjen pas vlerësimit gjatë viteve 2010-2012 si agjenti më i mirë në secilin prej këtyre 3 viteve, nga “Globe Soccer Awards”.

Top Channel