Bind Kukësi, Vllaznia fiton në Durrës

31/07/2014 00:00

Vllaznia arriti të marrë një fitore të rëndësishme në “Niko Dovana”, duke fituar ndaj vendasve të Teutës me një gol të Krujës në pjesën e dytë.

Të dyja ekipet vinin në këtë ndeshje pas humbjeve në javën e parë të kampionatit dhe kërkonin fitoren e parë, por loja u zhvillua më shumë në mesin e fushën dhe me pak raste për shënim. Në pjesën e parë, për t’u shënuar vetëm një gjuajtje nga jashtë zone nga shkodranët.

Skuadra e Hasan Likës ndryshoi ritmin në fillimin e fraksionit të dytë duke u përpjekur të ishte më e rrezikshme në portën shkodrane, duke e rrezikuar disa herë atë, por pa arritur dot te goli.

 Në minutën e 75 Arsid Kruja pas një driblimi goditi menjëherë brenda në zonë duke kaluar në avantazh shkodranët, me trajnerin Rainieri që nuk e mbante më vendi në stol.

Teuta rriti presionin në minutat e fundit, por nuk mundi të shënonte golin e barazimit. Shkodranët, të cilët e nisën kampionat me -3 pikë penalizim tani janë në kuotën e 0 pikë.

Ndërsa Kukësi i Arsim Shaqirit fitoi dhe në javën e dytë duke mundur Elbasanin 3-0. Në “Zeqir Ymeri” ekipi verilindor ju fal dyshes së saj të sulmit, Pejic dhe Hoxha, ndërsa në fund realizoi dhe mbrojtësi Dushku, duke i dhënë tre pikë të tjera ekipit kuksian, që konfirmohet dhe në këtë fillim kampionati si një prej pretendentëve kryesore në garën për titull.

Top Channel