Bajerni ngec përballë Shalkes

31/08/2014 00:00

Bajerni ngec në javën e dytë të Bundesligës në stadiumin e Shalkes dhe largohet prej andej me vetëm një pikë.

Në kryendeshjen e kësaj jave të kampionatit gjerman, skuadra e Pep Guardiola-s barazoi 1-1 ndaj Shalke 04. Bavarezët shënuan që në minutën e 10-të me anë të Levandovskit dhe mbyllën pjesën e parë në avantazh.

Vendasit gjetën rrjetën në minutën e 62 të takimit kur Hauedes përfiton nga një rrëmujë në zonën e Bajernit dhe shtyn topin në rrjetë në një episod të dyshimtë ku bavarezët protestuan për prekje të topit me dorë.

As futja e blerjes së re, Alonsos pesë minuta pas barazimit të rezultatit nuk i dha golin e dytë Bajernit që largohet me një pikë nga fusha e vështirë e Shalkes.

Në ndeshjet e tjera, Leverkuseni mundi 4-2 Hertën e Berlinit dhe është e vetmja skuadër me pikë të plota në dy javët e para, ndërkohë që surprizat janë Paderborgn dhe Këln, që të dyja skuadra të sapongjitura nga Bundesliga 2. Të parët mposhtën 0-3 Hamburgun në transfertë dhe po në transfertë Këlni mposhti Shtugartin 0-2.

Verder-Hofenhejm dhe Volfsburg-Entraht Frankfurt u mbyllën në barazim përkatësisht 1-1 dhe 2-2.

Top Channel