Kur parlamenti të mblidhet të hënën, diten e nisjes së sesionit të vjeshtës, partia më e madhe e opozitës do të mungojë në apel.

Vendet e deputetëve të Partisë Demokratike do të jenë bosh sepse ky pritet të jetë vendimi që do të marrin ata në mbledhjen e fillimit të javës së ardhshme, një vendim që në një farë mënyre u paralajmërua pak ditë më parë nga vetë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kur u pyet nëse opozita do të hynte apo jo në parlament.

“Ka një vendim të grupit parlamentar të Partisë Demokratike i cili është vendim në fuqi dhe është i padiskutueshëm deri sa të ketë një vendim tjetër”, tha Basha.

Vendimi u mor më 10 korrik, pas agresionit fizik të ndodhur në parlament kundër opozitës, një akt për të cilin Partia Demokratike akuzoi se u nxit nga Kryeministri Rama për t’i mbyllur gojën kundërshtarëve politikë.

Ndërsa vendimi tjetër, siç pohojnë për Top Channel burime zyrtare në Partinë Demokratike, nuk do të ndryshojë atë të parin. Të njëjtat burime thonë se në analizën e opozitës rezulton se gjatë kësaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar në sjelljen anti-demokratike të Kryeministrit  në raport me opozitën dhe me institucionet e pavarura.

Mungesa e opozitës në parlament për një kohë të pacaktuar nuk duket se është surprizë për Kryeministrin, i cili 10 ditë m parë bënte një analizë krejt tjetër për arsyet përse opozita po qendronte jashtë parlamentit.

“Përpjekje për t’i mbyllur gojën nuk ka. Kam frikë se opozita është futur në një proces vetëposhtërimi, vetëpersekutimi dhe vetëviktimizimi për shkak se i mungon tërësisht një strategji, i mungon tërësisht një platformë, një projekt. Po, është një opozitë në hall të madh. Sigurisht që, halli nuk jemi ne”, tha Rama.

Me numrat e pamjaftueshëm për të kushtëzuar vendimet e mazhorancës dhe me një Kryeministër që ka deklaruar se nuk ka ndërmend të bëjë dadon e opozitës duke e ftuar të kthehet në parlament apo të marrë pjesë në zgjedhjet lokale,  Partia Demokratike duket se  ka përpara një stinë të vështirë politike.

Top Channel