Përgatitjet për pritjen e Papës

30/08/2014 00:00

Të shtatë objektet të cilat ndodhen në krah të Korpusit Qendror në sheshin Nënë Tereza të Tiranës do të hiqen dhe e gjithë sipërfaqja do të gjelbërohet.

Ekspertët e Institutit të Monumenteve thanë se kjo është zonë e mbrojtur dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, këto subjekte do të shpronësohen.

“Për këtë shpronësim janë ndjekur të gjithë hapat ligjorë. Janë njoftuar subjektet dhe sot, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, ka nisur prishja. Shpronësimet janë parashikuar në këtë vendim të qeverisë. Ndërkohë është edhe projekti i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe ne jemi duke zbatuar vendimin e tij dhe të Ministrisë së Kulturës”, ka deklaruar drejtori rajonal i Kulturës Kombëtare, Ledion Lako.

Punimet për restaurimin e godinave qendrore në sheshin Nënë Tereza, i trotuarëve, si dhe rikthimi i ndriçmit dhe gjelbërimit po vijojnë me ritme të shpejta.

Përzgjedhja e Shqipërisë dhe pikërisht e sheshit në fjalë si vendi nga ku shenjtëria e tij Papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë ka vënë në lëvizje një pjesë të madhe të institucioneve për t’i rikthyher këtij sheshi shkëlqimin e dikurshëm.

Ministria e Kulturës ka sqaruar se statuja e Nënë Terezës që qëndron para Korpusit do të zëvendësohet me atë që sot qëndron në aeroportin e Rinasit. Më 21 shtator në orën 11, i gjithë sheshi do të jetë i mbushur me besimtarë por edhe me mijëra gazetarë e pelegrinë të cilët do të dëgjojnë nga afër meshën e shenjtë të Papa Françeskut.

Për 11 orë, shenjtëria e tij do të qëndrojë në Shqipëri. Në axhendë janë parashikuar takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, si dhe me krerët e komuniteteve fetare në vend. Shqipëria është një vend i cili simbolizon bashkëjetesën fetare, ndaj edhe ati i shenjtë e ka përzgjedhur si vendin e për të vizituar.

Top Channel