Pas 7 arrestimeve të një dite më parë për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë ka reaguar deputetit Erjon Braçe.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Braçe akuzon guvernatorin Fullani se ka gënjyer deputetët e komisionit të ekonomisë lidhur me inventarizimin.

“Deputeti Ervin Koçi e pyeti guvernatorin nëse ishte bërë vit për vit, për efekt edhe të bilancit të Bankës, inventarizimi fizik i vlerave monetare të administruara në arkat e vjedhura. Guvernatori iu përgjigj se ky inventar është bërë, por sipas standardeve të reja të BQE, inventari bëhet me zgjedhje në 5% të arkave. Kjo është edhe arsyeja pse nuk janë zbuluar më parë arkat e vjedhura”, thotë Braçe.

Sipas tij, deputeti Koçi insistoi i habitur se si mund të bëhet bilanci e të çertifikohet pa u bërë inventari fizik dhe guvernatori serish insistoi se kjo është tani praktika evropiane e inventarizimit për shkak të volumit të madh.

“Sot, Prokuroria paska zbuluar se një rregullore e vitit 2006 paska sanksionuar inventarizimin fizik të çdo kolie me para dhe referuar kolive të shqyera thotë se ato kanë qenë lehtësisht të dallueshme nga çdo inventarizues”, vijon Braçe.

Më tej, deputeti socialist shkuran se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që në maj të 2006-s ngritjen e një Komitetit të Auditit në Bankën e Shqipërisë, në mënyrë që të forcohet kontrolli i brendshëm dhe i jashtëm.

Por, sipas Braçes në asnjë vit që prej 2006-s e deri dje, kur është zyrtarizuar vendimi, guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës nuk e morën në konsideratë këtë rekomandim. Kjo, sipas Braçes, ngarkon me përgjegjësi Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës të bankës.

Një ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës u vunë në pranga dhe 7 anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Bankës së Shqipërisë, Gentian Jahja, Ilir Dedja, Emiljano Lamçe, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Mehdi Molla dhe Fatbardh Gurthi.

Arrestimet u bënë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë inventarizimit nuk kanë konstatuar mungesën e 713 milionë lekëve. Ndërkaq, 7 të ndaluarit janë marrë në pyetje për disa orë nga prokurorët për të zbardhur skemën e procesit të inventarizimit dhe evidentuar rolin e secilit prej të ndaluarve në mosevidentimin e vjedhes së shumës së madhe.

Top Channel