Plot 34 pacela me 12.410 rrënjë të dyshuara kanabis sativa janë asgjesuar përgjatë së premtes nga Policia e Shtetit, në aksionin anti-drogë që prej ditesh po zhvillohet në zonën e Dukagjinit.

Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se edhe gjatë ditës së shtunë, uniformat blu të Shkodrës, me mbështetjen e forcave të FNSH-së dhe grupeve speciale RENEA kanë shtrirë kontrollin në disa zona të thella të komunave Pult, Shalë dhe në një zonë të komunës Shkrel.

Ndërkohë, nga oficerët e policisë gjyqësore është bërë ndalimi i Marash Martinit, kryeplak i fshatit Nicaj të komunës Shalë, për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “moskallëzim të krimit”.

Kjo, pasi 64-vjeçari nuk ka bashkëpunuar dhe informuar strukturat e policisë për identifikimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në territoret e këtij fshati.

Temperaturat e larta dhe terreni i vështirë pa rrugë e bëjnë këtë rrugëtim një sakrificë më vete për forcat e policisë, të nisura nga Shkodra për të gjetur kanabisin e mbjellë.

Forcat e RENEA-s dhe FNSH-së tregohen të kujdesshme në lëvizje, pasi pak ditë më parë u qëllua helikopteri i policisë.

Vetëm tre persona janë kapur ndërsa grupi prej shtatë të tjerësh është ende i lirë e i armatosur. Policia dyshon se ata janë strehuar në një nga zonat e thella e të pyllëzuara.

Në operacione të ngjashme prej 8 ditësh policët kanë gjetur e shkatërruar 177 mijë rrënjë kanabis, ndërsa prej qershorit e deri më sot janë gjetur 190 mijë rrënjë.

“Operacioni po vijon në mënyrë intensive për kontrollin e të gjitha zonave të kultivuara me bimë narkotike në Dukagjin, konkretisht në fshatin Bruçaj, në zonat e thella të tij”, deklaroi të premten Tefik Sulejmani, zëdhënës i Policisë së Shtetit.

Në ditët e para transporti i uniformave blu bëhej me helikopterë, por pas incidentit që la të bllokuar në një fushë me misër thellë në male një mjet të tillë, e vetmja rrugë komunikimi është nga toka.

Top Channel