Britania, në alarm për terrorizëm

28/08/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar në një konferencë shtypi se, ISIS përbën kërcënimin më të madh që ka parë deri më sot Britania e Madhe.

Për këtë arsye Mbretëria e Bashkuar ka ngritur nivelin e alarmit të terrorizmit në “të rëndë”, një shkallë nën nivelin maksimal që është ai “kritik”, për t’u bërë ballë atentateve të mundshme.

Vendimi është marrë nga Joint Terrorism Analysis Center, në bazë të informacioneve të mbledhura nga shërbimet sekrete dhe struktura të tjera të qeverisë.

Cameron ka deklaruar se janë 500 xhihadistët britanikë që kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak, në bazë të të dhënave të mbledhura nga agjencitë e spiunazhit.

Kryeministri ka saktësuar se qeveria ka marrë masa për të shmangur që këta ekstremistë të kthehen në vend dhe të kryejnë akte mizorie.

“Rreziku për një sulm terrorist është shumë i lartë, por për momentin nuk ka sinjale që të sugjerojnë se rreziku është i afërt dhe i pashmangshëm”, ka thënë ndërkohë ministrja e Brendshme, Theresa May.

Londra zyrtare ka shprehur disa herë shqetësimin për kthimin në atdhe të qytetarëve të saj që shkojnë për të luftuar në Lindjen e Mesme e që kur kthehen mund të kryejnë atentate në Mbretërinë e Bashkuar.

“Rritja e nivelit të alarmit lidhet me zhvillimet në Siri dhe Irak, ku grupet terroriste po planifikojnë sulme kundër Perëndimit. Këto komplote me siguri përfshijnë luftëtarë që janë nisur nga Britania dhe Evropa për të marrë pjesë në këto konflikte”, ka thënë ministrja e Brendshme.

Ndërkohë, kryeministri Cameron ka njoftuar se do të prezantohet një ligj i ri për të bërë më të lehtë konfiskimin e pasaportave ndaj xhihadistëve që nga Mbretëria e Bashkuar shkojnë jashtë shtetit për të luftuar.

Kjo, sipas shefit të Downing Street, do të jetë e para e një seri masash që do t’i paraqiten Parlamentit javën e ardhshme për të ndalur fenomenin e rrezikshëm të bashkimit me grupet e ISIS në Irak e Siri.

Në fjalimin e tij Cameron ka kujtuar tronditjen e përjetuar nga vdekja e gazetarit amerikan James Foley, i vrarë nga një militant i ISIS me theks të fortë anglez.

“Konfliktet në Siri dhe Irak nuk mund t’i injorojmë, pasi përbëjnë një kërcënim për vendin tonë. Ideja për krijimin e këtij kalifati islamik është shumë e rrezikshme. kjo shkaktohet nga ideologjia helmuese e ekstremizmit islamik, që nuk ka lidhje me shumicën e njerëzve që aderojnë në këtë besim”, ka shtuar Cameron.

Top Channel