Arrestohen edhe 7 punonjës të BSH

29/08/2014 00:00

Shkon në 17 numri i personave të ndaluar për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.

Pasditen e së premtes, Prouroria e Tiranës ka lëshuar 7 urdhër-ndalime për anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Bankës së Shqipërisë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pasi gjatë inventarizimit nuk kanë konstatuar mungesën e 713 milionë lekëve. Urdhër-ndalimet janë lëshuar për Gentian Jahjën, Ilir Dedjën, Emiljano Lamçen, Mehdi Markun, Bahri Allushin, Mehdi Mollën dhe Fatbardh Gurthi.

Ndërkaq, nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezulton se referuar urdhërit dt. 02.12.2013 “Për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetar në Bankën e Shqipërisë dhe degët e saj”, për kryerjen e inventarit të vlerave monetare në arkën për veprim, të degës qendrore të Bankës së Shqipërisë, Komisioni i ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga 7 të ndaluarit.

Prokuroria thotë në një njoftim për shtyp se inventarizimi i vlerave monetare, referuar urdhërit dhe raportit përfundimtar të këtij komisioni, ka filluar me datë 09.12.2013 dhe ka përfunduar kontrollin më datë 24.12.2013 si në degën qendrore ashtu edhe në të gjitha degët. Referuar dokumentacionit që përmban praktika e inventarizimit të kryer në arkën për veprim, rezulton se gjendja kontabël më datë 06.12.2013 është e njëjtë me gjendjen e pasqyruar në inventarizimin fizik të kryer me datë 09.12.2013. Pra, do të thotë se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare.

“Nga kqyerja e kolive në arkën për veprim rezulton se tetë kolitë e prekura, në të cilat janë vjedhur lekët, kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin më të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21.07.2014”, thotë organi i akuzës.

Komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk ka verifikuar një më një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkave të dëmtuara dhe të liruara nga elementët e sigurisë që i rrethonin. Verifikimi me përzgjdhje, jo më pak se 5% e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një.

Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Për mosveprimin e mësipërm ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.

Grupi hetimor ka arritur në këtë konkluzion duke iu referuar procesverbaleve të deklarimit të personit nën hetim Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, për faktin se vjedhja në arkën për veprim është kryer në kohën kur Bitraj ka qenë përgjegjës i arkës për veprim, pasi vetëm në këtë periudhë, ai ka pasur mundësi veprimi për të vjedhur shuma të konsiderueshme nga arkat e parave me prerje 5.000 lekëshe.

Prokuroria del në përfundimin se nga komisionet e inventarizimit në vitet 2012 dhe 2013, këto mangësi duhet të ishin evidentuar, nëse inventari fizik do kryhej sipas rregullores miratuar me vendimin nr. 82 dt. 15.11.2006 të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe për këtë arsye ndaj 7 personave ne fjalë ka ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. 

Top Channel