F1, Mercedesi merr masa ndaj Rosbergut

29/08/2014 00:00

Mercedesi ka marrë masa disiplinore ndaj Nico Rosbergut për aksidentin që gjermani shkaktoi në Cmimin e Madh të Belgjikës, aksident që i shkatërroi garën shokut të tij të skuadërs, Lewis Hamiltonit.

Britanikut iu ça goma e pasme nga kontakti me Rosbergun që në xhiron e dytë të garës dhe më pas braktisi garën. Në një komunikatë për shtyp, Mercedesi ka sqaruar se gjermani Nico Rosberg ka kërkuar falje për aksidentin e shkaktuar.

“Toto Wolff, Paddy Lowe, Nico Rosberg dhe Lewis Hamilton janë takuar për të diskutuar mbi ngjarjet e ndodhura në pistën e Spa-së. Gjatë këtij takimi, Nico ka pranuar përgjegjësinë e tij në aksident dhe kërkoi falje për gjykimin e gabuar të situatës. Janë marrë masat e duhura disiplinore për këtë rast”, lexohet në komunikatë.

“Është bërë e qartë se nuk do të tolerohen më incidente të tilla. Pilotët tanë e dinë se rregulli numër 1 është që makinat nuk duhet të preken me njëra-tjetrën në pistë”, shton më tej komunikata e Mercedesit.

Top Channel