Rrëzohen të gjitha dekretet e Presidentit

29/08/2014 00:00

Asgjë nuk ishte surprizë në Komisionin e Ligjeve. As rrëzimi i paralajmëruar i të gjithë dekreteve të Presidentit dhe as bojkoti i opozitës.

Por, ajo që ra në sy ishte përgatitja e deputetëve të mazhorancës për të argumentuar se qëndrimi nuk ishte partiak, por sipas Kushtetutës dhe rregullores. Duke nisur që nga vetë mbledhja e Komisionit për të cilin u akuzuan për antikushtetueshmëri nga opozita. Ky pretendim u hodh poshtë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve.  

“Neni 32 e ka fare të qartë. Pika 1 e tij thotë: Komisionet e përhershme mblidhen si në kohën kur Kuvendi është i mbledhur në sesion, ashtu edhe jashtë tij”, deklaroi zoti Fatmir Xhafaj.

Për mazhorancën kjo do të thotë se rrëzimi i dekreteve të Presidentit është i vlefshëm nga ana ligjore. Për të treguar se nuk po mbajnë qëndrim partiak kundër Presidentit, deputetët e mazhorancës u përqendruan vetëm tek argumentat e tyre për çdo dekret të rrëzuar sepse sipas tyre tek asnjë ligj i kthyer nga Presidenti nuk gjendet ndonjë e metë kushtetuese.

Deputeti i Partisë Socialistë, Armand Subashi, tha: “Arsyet pse ligji është kthyer nga ana e Presidentit nuk qëndrojnë.”

Kryetari i Komisionit të Ligjeve shkoi më tej kur krahasoi dy qëndrime të ndryshme të Presidentit, i cili gjen anti-kushtetues detyrimin e tij me ligj për të emëruar nënkryetar të KLD-së njërin nga anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti.

Zoti Xhafaj iu referua një deklarate të Presidentit dy vjet më parë për këtë çështje në emisionin ‘Top Story’: “Nënkryetari, gjithmonë në balancë të përfaqësimit të institucioneve, ka qenë në traditë që të jetë përfaqësues i ardhur nga Parlamenti, pra i zgjedhur nga Parlamenti. Në vitin 2012 Presidenti ka ndarë të njëjtin vlerësim me atë çfarë ne po reflektojmë sot në ligj dhe me atë që është realisht në frymën e Kushtetutës.”

Mes dekreteve të rrëzuara ishte edhe ai që kërkonte rishqyrtimin e ndarjes së re territoriale. Një rast ky që ish-kryetari i Komisionit, Bashkim Fino, të bënte një akuzë të hapur kundër Presidentit.

“Nuk mund të jenë 24 kryetarë të komunës të Partisë Demokratike për mbledhje në Presidencë dhe t’u tregosh atyre se çfarë dokumentacioni duhet të paraqesin për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese një ligj që miraton një mazhorancë. Kjo është e pafalshme”, theksoi Fino.

Mazhoranca u soll njësoj edhe në Komisionin e Sigurisë, ku u rrëzua dekreti që ktheu për rishqyrtim ligjin për Policinë e Shtetit. Vendime këto që do të marrin formë përfundimtare të hënën në seancë plenare.
 

Top Channel