Rama: Mundësi të mëdha për rajonin

29/08/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama vlerëson se janë përmbushur pritshmëritë e vendeve të rajonit në Konferencën me Kancelaren gjermane.

Shefi i qeverisë shqiptare në një intervistë për Top Channel në përfundim të këtij aktiviteti, konfirmoi se tashmë ka nisur një proces bashkëpunimi mes BE-së dhe Ballkanit, ku synimi është ndihma ekonomike përmes financimit të projekteve infrastrukturore për të zvogëluar hendekun e zhvillimit mes vendeve europiane dhe atyre ballkanike.

Kryeministri Rama rikonfirmoi vizitën e kancelares gjermane në Tiranë, ndërsa konsideroi si marrje përgjegjësie nga Shqipëria për avancimin e dialogut rajonal vizitën e tij në Beograd më 22 tetor.

***

Intervista e plotë

TCH: A u arritën pritshmëritë tuaja nga kjo Konferencë?

Edi Rama, Kryeministër: Absolutisht po!

TCH: Cila ishte pika kulminante e kësaj konference?

Kryeministri Rama: Jo vetëm konferenca, por edhe darka e punës që patëm me Kancelaren përbëjnë një arsye për të besuar se ka nisur një proces.

TCH: Pse Gjermania katalizatori i këtij procesi?

Kryeministri Rama: Kush tjetër nëse jo gjermania?! Të gjithë janë të vetëdijshmë që Ballkani ka një sërë problematikash të trashëguara nga e kaluara e largët dhe e afërt dhe është e qartë që me instrumentat që kanë vendet e Ballkanit nuk mund të kapërcehet hendeku mes pritshmërisë së madhe të njerëzve nga Europa dhe Europës reale për njerëzit. Duhet një mbështetje politike, ekonomike, financiare që ndërkohë që bëjmë detyrat e vështira individualisht, Ballkani të fillojë të lidhet me projekte të mëdha të infrastrukturës, të rrjeteve energjitike, të transportit, të arsimit profesional, të sipërmarrjeve, të sipërmarrjes private dhe kështu me radhë.

TCH: Çfarë vendi zuri Kosova në bisedimet që patët?

Kryeministri Rama:
Është e sigurtë që sot Kosova ishte e barabartë me vendet e tjera dhe nuk u veçua për asnjë moment si një nga shtetet e Ballkanit

TCH: Në konferencën e shtypi që patët me Merkel njoftuat vizitën tuaj më 22 tetor në Beograd, çfarë synoni të arrini me këtë vizitë? Cila është axhenda?

Kryeministri Rama:
Më lejoni të konfirmoj që Kancelarja do të vizitojë Shqipërinë me shumë kënaqësi, ndërkohë që vizita e Beogradit është pjesë e këtij procesi. Ne kemi marrë një përgjegjësi të posaçme si Shqipëri dhe ne duam të jemi në lartësinë e kësaj përgjegjësie duke luajtur një rol nxitës dhe koordinues me vendet e tjera për të qenë në gjendje që rajonin ta transformojmë në perceptimin e europianëve të bashkuar, sepse ne jemi europianët e pabashkuar, nga një pellg problemesh në një oaz mundësish dhe këtë do ta bëjmë së bashku.

Top Channel