Thaçi: Do vijojmë dialogun me Serbinë

28/08/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar në Samitin e Berlinit se Prishtina zyrtare është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Serbinë, të cilat sipas tij rezultuan vitin e kaluar me një marrëveshje historike mes dy popujve dhe dy vendeve pas 1 shekulli konflikt.

Sukseset e deritashme të Kosovës, që nga lufta e më pas, Thaçi ia atribuoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, por edhe Gjermanisë si superfuqi evropiane.

Thaçi e ka siguruar Kancelaren Angela Merkel se Kosova është e gatshme për të vazhduar fazën e dytë të dialogut, e cila tha se pashmangshëm duhet të përmbyllet me një Marrëveshje Ndërkombëtare të Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë samit, Thaçi ka folur edhe për procesin zgjedhor dhe nevojën e formimit të institucioneve të reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga Berlini Thaçi ftoi partitë politike të tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe të jenë të afta për t’i dhënë vendit institucione të besueshme, të cilat do të vazhdojnë reformat e domosdoshme strukturore në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër çfarëdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Kryeministri kosovar po ashtu ka folur për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa ka ftuar BE-në që të marrë vendimin për heqjen e tyre. Ai gjithashtu ka thënë se deri në fund të këtij viti pret që Kosova të përmbyllë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në.

Thaçi ka renditur në Samit edhe disa projekte që Kosova do t’i realizoj në bashkëpunim edhe me institucione ndërkombëtare financiare dhe me borxhe të jashtme.

Pas përfundimit të autostradave që sipas Thaçit kanë lidhur Kosovën me Shqipërinë, me Maqedoninë dhe përmes tyre me vende tjera evropiane, tani Thaçi ka thënë se fokus do të jetë infrastruktura hekurudhore.

Top Channel