Basha flet për vjedhjen në BSH

28/08/2014 00:00

Në një takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka hezituar ta quajë vjedhjen e Bankës së Shqipërisë një skandal të papranueshëm.

Kjo është hera e parë që kreu i opozitës foli vetë për këtë çështje, duke shpjeguar edhe arsyen përse Partia Demokratike nuk e përdori atë për të përfituar politikisht.

“Sepse nëse përmes kapitalizmit politik rrënojmë besueshmërinë e politikës monetare shqiptare, rrënojmë besueshmërinë e sistemit bankar shqiptar, nuk mbetet më asnjë tullë mbi të cilën të ngrihet godina e sigurisë ekonomike për sot dhe për nesër”, deklaroi Basha.

Por sipas opozitës, është një palë që po përpiqet të përfitojë politikisht. Kreu i demokrateve ka denoncuar tek përfaqësuesit e FMN-së përpjekjet e qeverisë për të vënë nën kontroll politikën monetare të shtetit, nëpërmjet kapjes së Bankës së Shqipërisë.

“Ndava me përfaqësuesit e FMN-së mendimin se kjo do të ishte një tragjedi e përmasave të padëgjuara dhe që do të shkaktonte një shkatërrim të shpejtë dhe final të çdo sigurie bankare tek investitorët dhe tek ekonomia”, theksoi Basha.

Zoti Basha përdori një fjalor të ashpër kur etiketoi vendimet e fundit të qeverisë, që sipas tij kanë rritur pasigurinë e investitorëve. “Të cilët janë në presionin e vazhdueshëm të një retorike fashiste, ‎e cila ka mbjellë frikë dhe panik në çdo sektor të ekonomisë, siç ishte edhe deklarimi absuurd i paligjshëm, anti-kushtetues e kriminal i qeverisë dje, se jo vetëm do të ngrijë planet urbanistike të miratuara sipas ligjit, por nuk do të njohë as lejet e dhëna në mënyrë ligjore”, u shpreh Basha.

Me përfaqësuesit e FMN-së, kryetari i opozitës u ka bërë treguesve ekonomikë një analizë të ndryshme nga banka qendrore dhe nga qeveria. “Në të gjithë sektorët ka përkeqësim, vetëm borxhi ka rritje”, tha ai.

Zoti Basha e thotë këtë sepse sipas tij, kreditimi rezulton me rënie, investimet publike të qeverisë janë 200 milionë euro më pak dhe të ardhurat nga TVSH për korrikun 7 milionë euro më pak se plani.

“Çdokush që hesht dhe mohon këtë transparencë është bashkëfajtor në këtë krim të pashembuullt që është rrënimi i përditshem i e‎konomisë shqiptare”, u shpreh ai.

Top Channel