Dukagjin, edhe 1.350 rrënjë të asgjesuara

28/08/2014 00:00

Në Dukagjin vijon aksioni anti-kanabis i forcave të policisë, të cilat deri në orët e mbrëmjes së të enjtes kanë asgjesuar plot 1.350 rrënjë narkotike.

Sipas një njoftimi për shtyp të Policisë së Shtetit, bimët narkotike ishin mbjellë në pesë parcela, në një zonë të pyllëzuar dhe të thepisur në komunën Pult.

Më herët gjatë ditës, Drejtoria e Policisë së Shkodrës njoftoi se kishte bërë ndalimin e shtetasit
Mhill Demaj, 57 vjeç, banues në fshatin Grunë e Re, Shkodër.

Ndalimi i tij u bë pasi duke qenë me detyrë kryeplak i fshatit Bruçaj, komuna Pult, nuk kishte kryer detyrën për të njoftuar organet kompetente për kultivimin e lëndëve narkotike në këtë fshat.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në fshatin Bruçaj janë gjetur dhe asgjesuar 31 parcela në të cilat ishin kultivuar 16.300 rrënjë kanabis sativa.

Ndërkohë, deri në mesditë ishin arrestuar tre persona që akuzohen se qëlluan me armë zjarri ndaj policisë në ditët e para të ndërhyrjes së saj në zonën e Dukagjinit për asgjesimin e lëndëve narkotike.

Në 7 ditë operacion në zonat e thella, policia ka gjetur dhe asgjesuar mbi 100 mijë rrënjë kanabis sativa, një sasi e ngjashme kjo me atë të kultivuar në Lazarat dhe të shkatërruar nga policia.

Top Channel