Rregullore e re kundër vjedhjeve

27/08/2014 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ende nuk e ka gjetur kohën për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarëve, por duke përdorur pa kompleks togfjalëshin “vjedhje e Bankës së Shqipërisë”, Ardian Fullani siguroi opinionin publik për një reagim të shpejtë në bashkëpunim me insitucionet ndërkombetare.

“Dhe natyrisht që ky rast i rëndë i shkëputur, kjo vjedhje, do të ndiqet hap pas hapi, që të garantojmë që të gjitha masat të sigurojnë perfeksion të kuadrit rregullativ, që situata të tilla të rënda të mos ndodhin më”, deklaroi Fullani.

Për ata që ende shpresonin në një dorëheqje të guvernatorit apo të ndonjë anëtari tjetër të Këshillit Mbikëqyrës, kjo nuk ka për të ndodhur. Sepse drejtuesit e bankës qendrore janë mjaftuar me faktin se po bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe insitucionet e tjera shtetërore.

“Nese është dikush më i interesuar se të gjithë për ta zbardhur këtë çështje, siç është dhe për të marrë masat që kjo gjë të mos përsëritet më, është Banka e Shqipërisë dhe unë personalisht. Natyrisht që është një ngjarje e rëndë, na ka goditur një segment të veçantë, por ju garantoj se përgjegjshmëria është shumë e madhe, si nga Banka e Shqipërisë, nga Këshilli Mbikëqyrës dhe e imja personale”, theksoi Fullani.

Guvernatori Fullani bëri këtë dalje publike për të dhënë mesazhe optimiste për ekonominë, një analizë për të cilën ishte dakord i gjithë Këshilli Mbikëqyrës. “Ekonomia ka lajme pozitive”, tha ai.

Të gjitha meritat e kësaj situate optimiste për rritjen ekonomike i takojnë qeverisë, e cila, sipas bankës qendrore ka ulur shpenzimet, ka rritur të ardhurat dhe ia ka dalë të rrisë besimin dhe të përmirësojë klimën e biznesit.

“Ecuria pozitive e kërkesës së brendshme private është mbështetur nga kushtet më të favorshme të financimit dhe nga rritja e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve në këtë periudhë. Kahu konsolidues i politikës fiskale është shprehur tek rritja e të ardhurave dhe në reduktimin e shpenzimeve. Ecuria e të ardhurave është ndikuar nga të ardhurat tatimore dhe administrimit të këtij sistemi”, tha Fullani.

Top Channel