Me shqetësim të madh po e ndjek qeveria greke tendencën gjithnjë në rritje të numrit të personave që aplikojnë për të dalë në pension pasi sistemi social në Greqi nuk ngjall aspak besim, sidomos për ata që kanë mbi 25 dhe 30 vjet në marrëdhënie pune.

Vetëm në tre muajt e fundit kanë bërë kërkesë rreth 35.000 persona dhe numri i tyre brenda këtij viti pritet të shkojë në 200.000, ndërsa deri në fund të 2016, në 600.000.

Shumica e atyre që kanë bërë kërkesë për pension të parakohshëm janë gra. Sipas të dhënave që publikon shtypi grek, numri i pensionistëve në Greqi në këto momente është rreth 2.656.000 persona.

Duke marrë parasysh edhe numrin rekord të të papunëve, që është mbi 1.5 milion, atëherë raporti midis të punësuarve dhe pensionistëve konsiderohet një bombë në themelet e skemave të pensioneve në Greqi, në të cilat ekziston në këto momente një boshllëk fiskal prej 4 miliardë eurosh.

Rritja e kërkesave për pension në katër vitet e fundit ka si shkak reçesionin e madh të ekonomisë dhe frikën e humbjes së vendeve të punës në sektorin privat dhe atë shtetëror.

Ndaj, duke përfituar nga disa nomenklatura ligjore të fundit, grekët kërkojnë të dalin më shpejt në pension duke pranuar të marrin edhe gjysmën e të ardhurave, pasi përndryshe ose do t’u duhet të punojnë deri në moshën 67-vjeçare me paga të reduktuara deri në 40% në rastin më të mirë, ose do të humbasin vendin e punës.

Rritja e moshës së pensioneve në Greqi deri në vitin e 67 të jetës, që sipas qeverisë ka qenë një nga kërkesat e kreditorëve të Athinës, kryesisht e Berlinit, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në opinionin publik.

Ndërsa reagimet janë shtuar pa masë javën e kaluar kur koalicioni i madh qeverisës, i kryesuar nga Angela Merkel ka pranuar të shtojë ndjeshëm shpenzimet për politikat sociale, duke rritur pagat dhe duke ulur moshën e daljes në pension për gjermanët në 63 vjeç.

Top Channel