Masakër në pyjet e veriut

27/08/2014 00:00

Banorët e zonave në veri të vendit, të lidhur me kryetarët e komunave, po i shkaktojnë një katastrofë të vërtetë natyrore pyjeve, prej disa vitesh dhe pa ndërprerje.

Edhe pse janë shkretuar plot 28 hektarë pyje ahorë në Bruzhdull të Malësisë së Madhe, të cilat janë prerë në mënyrë ilegale, kryetari i komunës asnjëherë nuk ka denoncuar apo lajmëruar strukturat përkatëse për kapjen e autorëve.

“Duke qenë se vetë pylli është në administrim të komunës, kontrolli i zonave bëhet me njoftim nga komuna. Nuk kemi pasur asnjë njoftim dhe informacioni i vetëm ka ardhur nga inspektorët tanë në Shkodër. Do të ndiqen të gjithë shkelësit penalisht nga inspektoriati dhe strukturat e tjera të shtetit”, deklaron Ergys Agasi, drejtor i Inspektoriatit të Mjedisit.

Prerja e pyjeve në zonat veriore si në Bulqizë, Lurë dhe Dibër ka sjellë një dëm ekonomik dhe mjedisor që shkon në dhjetëra miliardë lekë. Lënda drusore përdoret si trarë mbajtës për tunelet në miniera legale dhe ilegale.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, pas prerjes së pyjeve, në mënyrë ilegale lënda drusore çohej në Koplik, ku përpunohej e më pas transportohej pranë minierave.

“Do bëhet një inspektim i thellë në të gjitha minierat, sepse dyshimi është që ky material drusor përdorej kryesisht nga këto subjekte”, saktëson Agasi.

Kreu i Inspektoriatit të Mjedisit shton se ndaj të gjithë personave të cilët presin në mënyrë ilegale pyjet do të ngrihen kallëzime penale. Ligji përcakton se për këto shkelje ata duhet të dënohen me burg.

Top Channel