Konferenca e Berlinit për Ballkanin

27/08/2014 00:00

Konferenca e Ballkanit për zv.presidenten e Institutit të Politikave Europiane në Berlin, Katrin Bottger, e kthen rajonin në axhendën e politikës gjermane.

Më 28 gusht krerët e vendeve të ish-Jugosllavisë, Kosovës dhe Shqipërisë takohen në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Bottger e konsideron këtë një hap të mençur.

“Situata aktuale e integrimit të vendeve të rajonit në BE është në një fazë të tillë ku vihen re hapa të vegjël suksesi të herëpashershëm, por i gjithë procesi në tërësi është bërë më i vështirë dhe i tejzgjatur, krahasuar me integrimin e vendeve lindore, anëtare të BE-së. Në këtë proces të vështirësuar, Gjermania konsiderohet si ajo që ngre gjithmonë me paralajmërim gishtin lart. Prandaj është një moment i mirë për të treguar se Gjermania, megjithëse është këmbëngulëse, apo vë kushte për Kosovën si në rastin e Serbisë për hapjen e negociatave, ajo nuk e ndryshon përcaktimin e saj dhe nuk e vë në pikëpyetje perspektivën europiane të integrimit të këtyre vendeve, por e mbështet atë”, thotë Katrin Bottger, Instituti i Politikave Europiane.

Bottger i tha DW se kjo konferencë duket edhe si vlerësim për atë që ka arritur Ballkani deri më tani. Nga ana tjeter, takimi mund të konsiderohet edhe shenjë e rëndësisë që ka rajoni për Europën dhe faktin që ai nuk humbet në axhendën politike, pavarësisht konflikteve nëpër botë të cilat tërheqin vëmendjen e bllokut siç janë ato në Ukrainë, Palestinë, Siri e Irak.

Sa për lajmin e publikuar nga “Der Spiegel” mbi përgjimin e Shqipërisë, shërbimi informativ gjerman BND, i përcjellë nga revista pak përpara mbërritjes së Kryeministrit Edi Rama, Bottger sqaron se ato që cilësohen nga shtypi si “spiunazh” në thelb janë thjesht një mbledhje e rregullt informacioni për vendet përkatëse, çka përbën dhe detyrën bazë të çdo shërbimi sekret.

Top Channel