Pogradec, dy të rinj dyshohen të mbytur

27/08/2014 00:00

Një  ngjarje e rëndë është verifikuar këtë të mërkurë në liqenin e Ohrit, ku dy adoleshentë kanë humbur në ujërat e tij, ndërsa trupat e tyre ende nuk janë gjetur.

Sipas të dhënave, ngjarja është regjistruar rreth mesditës kur dy të rinjtë, të moshave 14 dhe 18 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin kishin shkuar për të pushuar në qytetin e Pogradecit, por kanë humbur teksa janë parë të lahen në liqen.

Dy të humburit, të cilët janë identifikuar si Ardian Kosturi dhe Aleks Kula kishin shkuar këtë paradite në Pogradec dhe buzë liqenit kishin marrë një varkë me qera. Pasi kanë pedaluar deri në thellësi, të rinjtë janë hedhur në ujë por nuk kanë dalë më.

Varka e zbrazët ka tërhequr vëmendjen e pushuesve të cilët kanë sinjalizuar policinë, por pas mbërritjes në vendin e ngjarjes kjo e fundit vetëm ka identifikuar dy të rinjtë përmes sendeve vetjake, të cilat ata i kishin lënë në varkë dhe ka nisur kërkimet për gjetjen e tyre.

Prej orës 13.00 të së mërkurës vijojnë kontrollet e polumbarëve për gjetjen e trupave të të rinjve nga fshati Libonik, ndërkohë që familjarët kanë pohuar se ata ishin larguar pa dijeninë e tyre nga banesa.

Pas ngjarjes policia ka shoqëruar edhe pronarin e varkës Ilia Shyta, për ta marrë në pyetje në lidhje me hetimet e ngjarjes së rëndë.

Shoqërimi i pronarit të varkës bëhet për të verifikuar proçedurat që duhet të ndiqen për ata që mbajnë varka si dhe kriteret që duhet të plotësojnë personat që marrin varka me qera.

Paraprakisht dyshohet se nuk është zbatuar ligji për raste të tilla, pasi personat që vozisin duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe të kenë dokument identifikimi.

Top Channel