Helikopteri ngel në Dukagjin

27/08/2014 00:00

Një helikopter i Policisë së Shtetit prej katër ditësh ka mbetur në tokë në një arë me misër në fshatin Megullë të komunës Pult, në Dukagjin.

Ai është qëlluar ditën e dytë të operacionit kundër kultivimit të hashashit dhe fatmirësisht piloti mundi ta ulë helikopterin e dëmtuar që aktualisht po ruhet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë deri në hartimin e një plani evakuimi.

Policia, pas asgjesimit të 90 mijë rrënjëve kanabis në Pult është duke u zhvendosur në komunën Temal, një zonë shumë e thellë malore.

Aksioni për asgjesimin e lëndës narkotike të mbjellë në zonën e Dukagjinit po vijon në zonën e Temalit. Qindra forca policie për disa ditë rresht në komunën Pult kanë shkatërruar mbi 90 mijë rrënjë kanabis sativa.

Ndërkohë, dje policia në vendin e quajtur Ashta e Likajve, fshati Bruçaj, komuna Pult, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri automatik model 56 mm, një armë zjarri automatik 9 mm, 71 copë fishekë si dhe dy thasë me lëndë narkotike marihuanë, e cila pas peshimit rezultoi të ishte 5 kilogramë.

Gjithashtu, është arrestuar edhe shtetasi Lekë Thani, vjeç 38, banues fshatin Plan, Komuna Pult. Ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia për ngjarjen e datës 22.08.2014, ku nga një grup personash kanë qëlluar me armë zjarri dy helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme të cilët po transportonin forcat e policisë në kontrollin e territorit.

Ky shtetas është identifikuar dhe është kultivues i disa parcelave me lëndë narkotike në zonën e komunës Pult. Për shkak të zjarrit nga toka të një grupi prej 10 personash në ditën e dytë të operacionit është dëmtuar rëndë një helikopter i Ministrisë së Brendshme.

Pasi është qëlluar me disa plumba në motor, depozitën e karburantit dhe në kabinë, helikopteri është ulur në një parcelë mbjellë me misër në fshatil Mgell të komunës Pult dhe policia po përgatit një plan evakuimi.

Ndërsa është në ruajtje nga forcat e policisë, helikopteri, njësoj si avioni i Divjakës, është kthyer në një destinacion turistik ku banorët bëjnë edhe foto.
 
Ndërkohë, vijon puna për ndalimin e personave tashmë të identifikuar që qëlluan me armë zjarri mbi policinë.

Asgjesohen parcelat me kanabis

Policia e Gjirokastrës ka asgjesuar 300 rrënjë kanabis sativa në zonën e fshatit Krahës në Tepelenë si dhe arrestoi në flagrancë katër persona si kultivues.

Tre shtetas po ndiqen penalisht në gjendje të lirë për kundërshtim të forcave të policisë gjatë operacionit antikanabis. Të arrestuarit janë Demo Shehu, i datëlindjes 1994, banues në fshatin Krahës 1, të rrethit Tepelenë, pasi në parcelën e tij, midis perimeve, iu gjetën të kultivuara 22 bimë narkotike.

Faik Qata, i datëlindjes 1962 dhe djali i tij Migel Qata, pasi në territorin e banesës së tyre u gjetën të kultivuara 22 bimë narkotike. Asan Ajdini, i datëlindjes 1962, pasi në afërsi të banesës së tij u gjetën të kultivuara 62 bimë narkotike.

Po gjatë operacionit janë evidentuar edhe disa parcela të tjera të kultivuara me bimë narkotike, ku janë shpallur në kërkim tre shtetas dhe konkretisht: B.Shehu, pasi në një parcelë që vaditej nga një tub llastiku që dilte nga shtëpia e këtij shtetasi u gjetën 91 bimë narkotike të kultivuara.

E.Shehu, pasi në parcelën në pronësi të këtij shtetasi u gjetën të kultivuara 20 bimë narkotike. A.Hasa, pasi në bahçen e banesës së tij u gjetën të kultivuara 42 bimë narkotike.

Gjithashtu, po gjatë operacionit u gjet edhe një parcelë me rreth 50 bimë narkotike e hapur rishtas ku po punohet për gjetien e autorit.

Në ndjekje penale janë edhe tre gra të fshatit Krahës të cilat u zunë rrugën policëve për t’i penguar gjatë arrestimeve.

Policia e Lezhës ndërkohë shpalli në kërkim shtetasin Nikollë Uksani, 29 vjeç, banues në fshatin Skuraj, për shkak se në një parcelë u gjetën 167 rrënjë kanabis sativa.

Top Channel