Projektet në tryezën e Angela Merkelit

26/08/2014 00:00

Infrastruktura, energjia dhe turizmi janë tre shtyllat që përmban dokumenti që do t’i çohet në tryezë kancelares gjermane Angela Merkel në Konferencen me vendet e Ballkanit.

“Korridori i Kaltër” është projekti infrastrukturor që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjen e Shqipërinë në krye të projekteve që do t’i propozohen Gjermanisë për mbështetje, te ndjekura nga linjat hekurudhore, qendrat për parqet logjistike e më tej portet.

Do të kërkohet gjithashtu mbështetje për ndërlidhjen energjitike të vendeve të rajonit, projekte për të cilat qendrimet janë dakortësuar edhe nga takimet e një dite më parë mes kryeministrave në Dubrovnik.

Kërkesat drejtuar vendit më të fuqishëm të BE-së përmbajnë edhe financime për sipërmarrjen, ndërsa Shqipëria do të përqendrohet në këtë pikë tek mbështetja për arsimin profesional bazuar në modelin gjerman.

Turizmi gjithashtu zë vend në dokumentin që do të jetë baza e diskutimit në konferencën e 28 gushtit.

Pikat e dokumentit janë bërë publike nga Kryeministri Edi Rama dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar Ditmir Bushati e Arben Ahmetaj ngaAeroporti i Rinasit pak përpara se delegacioni shqiptar të linte Tiranën për t’iu drejtuar Berlinit, në udhëtimin që shihet si një moment tejet i rëndësishëm për Shqipërinë e rajonin ku bëjmë pjesë.

“Dokumenti është i pari i këtij lloji që Shqipëria i paraqet Bashkimit Europian dhe një forumi të kësaj natyre. Është ndarë me palën gjermane, me të gjithë qeveritë e rajonit dhe pjesëmarrëse, po ashtu me komisionin dhe me gjithë pjesëmarrësit e tjerë që do të jenë në konferencë që janë pjesë e një procesi që fillon me Konferencën e Berlinit por do të vazhdojë, sic e ka thënë Kancelarja Merkel, vit pas viti duke bërë bilancin dhe për të çuar më tutje këtë ndërveprim që fut çdonjërin nga vendet tona në një fazë të re  BE-në”, tha Rama.

I vetëdijshëm se momenti është i artë për Ballkanin, edhe po aq për shqiptarët si një faktor tejet i rëndësishëm në të, Kryeministri Edi Rama e sheh ofrimin e Gjermanisë në këtë formë dhe në këtë moment të favorshëm për të përçuar më tej njohjen reale të vendit tonë, tashmë kandidat i BE-së.

“Shqiptarët është koha që të vlerësohen shumë më tepër për atë që janë dhe kanë qenë për rajonin. Ne do të vazhdojmë të ngremë shumë fort zërin që shqiptarët përbëjnë një aset të paçmuar për Europën sepse janë europianë, muslimanë dhe të krishterë dhe si të tillë meritojnë më shumë respekt dhe vëmendje”, deklaroi Kryeministri.

Megjithëse e nxitur edhe nga situata gjeopolitike, pas krizës ukrainase dhe asaj në Lindjen e Mesme, rritja e kontakteve të shtetit kryesor të BE-së me Ballkanin është vlerësuar si e mirëpritur në të gjitha vendet e tij, por mbetet për t’u parë sa do të dijë rajoni ynë ta shfrytëzojë këtë moment dhe po aq sa dhe si do të harmonizohet kërkesa dhe oferta në konkretizimin e këtyre projekteve.

Top Channel