Ballkani bën “listën” për Berlinin

26/08/2014 00:00

Katër vendet mesdhetare të rajonit që do të jenë pjesë e Konferencës së Berlinit pas dy ditësh kanë rënë dakord për prioritetet që do vendosin në tryezën e takimit me kancelaren gjermane Merkel.

Kryeministrat e këtyre vendeve, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë, vend edhe ku u mbajt takimi katërpalesh, kanë specifikuar projektet infrastrukturore prioritare që do të paraqesin në takimin e Berlinit, takim që për kryeministrin shqiptar, i cili përçoi edhe qëndrimin e Kosoves pas takimit me Thaçin, do të përçojë frymën e re që mbizotëron në Ballkan.

“Sot jemi këtu, të gjithë së bashku, me kryeministrin e Kroacisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjës, për të pasur një pozicion të përbashkët në Konferencën e Berlinit, lidhur me një projekt madhor që është projekti i ”Korridorit të Kaltër” apo autostradës që do të lidhë pjesën tjetër të Mesdheut, veriun e Kroacisë me pjesën jugore të Kroacisë, me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe më poshtë me Greqinë, për të krijuar përfundimisht Unazën e Mesdheut”, deklaroi Rama.

“Ky projekt ende nuk është realizuar, ndonëse është i rëndësishëm edhe për Kroacinë, si një vazhdimësi e trasesë rrugore që e ndërlidh rajonin dhe kuptohet se ka rëndësi edhe për Malin e Zi, për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, e cila natyrisht vjen menjëherë pas Kroacisë.  Por do të thosha se është e rëndësishme edhe për Kosovën në këtë moment, ndonëse këtu nuk ishte kryeministri i Republikës së Kosovës. Kjo ka qenë tema kryesore për të cilën kemi biseduar dhe ky është një qëllim që së bashku duam ta arrijmë”, tha nga ana tjetër kryeministri kroat Zoran Milanoviç.

Vlerësimin për projektin e Korridorit të Kaltër e dhanë edhe kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Bosnjes, kur i pari e cilësoi këtë angazhim si kapjen e kohës së humbur për rajonin dhe i dyti si esencial për zhvillimin e tij.

Ndërsa vendet po përpiqen të kapin zhvillimin e vonuar në raport me vendet europiane për shkak të një shekulli trazirash dhe mungese qetësie në të, kryeministri shqiptar nuk ka hezituar ta risjellë në kujtesë faktin se ky është viti i parë i rajonit në paqe.

“Por është një paqe shumë e madhe për shpatullat tona veç e veç, prandaj ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë”, theksoi ai. Nga vendet që do të jenë prezente në Berlin, vetëm Kroacia është vend anëtar i BE, fakt që për Edi Ramën eshte fat që në tryezat e Brukselit ky vend flet në emër të gjithë rajonit. “Ndërkohë që ne nga jashtë Bashkimit Europian do të flasim më shumë gjuhën e Ballkanit, për ta bindur Bashkimin Europian që të jetë më shumë prezent në rajon”, shtoi Rama.

Top Channel