Përgjimi gjerman zbehet nga konferenca

26/08/2014 00:00

Dosjes së marrëdhënieve të konsideruara më të mirat që kanë qenë ndonjëherë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë do t’i shtohet edhe çështja e përgjimeve.

Fakti i publikuar nga gazeta gjermane “Der Spiegel” dhe që nuk u mohua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, se vendi i saj ka përgjuar prej disa vitesh Shqipërinë, do të trajtohet me të gjitha instrumentet zyrtare dhe diplomatike, konfirmoi ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati. Por ai mbajti në kontekst të kësaj përgjigjeje se dy vendet janë anëtare të NATO-s të angazhuara për sigurinë.

“Shqipëria do ta trajtojë këtë çështje në kanalet zyrtare e diplomatike dhe besoj se këtu ndoshta nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që ka deklaruar kancelarja Merkel, që çështjet e sigurisë kombëtare gjejnë adresim në kanalet diplomatike zyrtare. Nga ana tjetër, ne jemi vende anëtare të NATO-s dhe mes dy vendeve tona ka ndërveprime në nivel politik, ushtarak dhe të shërbimeve inteligjente. Dhe kur vjen puna tek çështjet e sigurisë kombëtare ndërveprueshmëria është element kyç, sepse këto janë fenomene që kalojnë kufijtë e një shteti”, deklaroi Bushati.

Në konferencën e përbashkët me homologun e Letonisë, ardhur në Tiranë për vizitë zyrtare, Bushati rinënvizoi edhe njëherë pritshmërinë e Shqipërisë dhe rajonit nga mbajtja e Konferencës së Berlinit pas dy ditësh, kur këtë e konsideroi një proces që do të ndihmojë në strukturimin e marrëdhënieve  politike dhe ekonomike mes shteteve të Ballkanit.

Në drejtim të këtij qëllimi është edhe vizita e pritshme e kryeministrit Edi Rama në Beograd, që shefi i diplomacisë e konfirmoi se do të ndodhë brenda vjeshtës, por që mesa duket nuk do të jetë aq e kënaqshme në rast se Serbia nuk do t’iu japë përgjigje disa çështjeve të mbetura pezull, të cilat kanë në qendër liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Do të trajtojmë një pjesë të disa marrëveshjeve për të cilat ende nga Serbia nuk kemi marrë përgjigje, të cilat do të çonin marrëdhënien tonë në një stad më të avancuar, si dhe do të bënin që serbët dhe shqiptarët ta ndjejnë zhvillimin pozitiv. Gjithashtu, raportet tona mendojmë se do të kishin një karakter lehtëses në të ardhmen euro-atlantike të rajonit”, tha Bushati.

Në këtë të fundit, ministri i Jashtëm letonez, vendi i të cilit do të marrë presidencën e radhës të BE-së në janar 2015, konfirmoi prioritetin e vendit të tij për të ndihmuar vendet e Ballkanit në avancimin e mëtejshëm europian.

Top Channel