Hapja e shkollave profesionale

26/08/2014 00:00

Dhjetëra të rinj apo të reja të cilët kanë mbaruar nëntëvjeçaren me nota mesatare kanë mundësi të jenë pjesë e shkollës së re profesionale të informatikës teknologjike “Herman Gmeiner”.

Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj tha se kjo shkollë profesionale që është hapur nga austriakët dhe do të drejtohet nga ata do të ketë dy klasa dhe pritet të nxjerrë profesionistë në fushën e teknologjisë.

“Kjo do jetë një shkollë elitare sipas shkollës austriake në Shkodër. Nga 1 shtatori ne do ftojmë të gjithë ata prindër që duan të shkollojnë fëmijët në fushën e teknologjisë, që natyrisht do të përzgjidhen përmes mesatares. Jam shpresëplotë se një Steve Jobs apo Bill Gates do lindë nga kjo shkollë. Aktualisht qeveria austriake është në moment të rekrutimit të bashkëdrejtorit të kësaj shkolle”, deklaroi Veliaj.

Edhe bujqësia do të jetë një tjetër sektor ku të rinjtë do të mund të specializohen. Në Zadrime do të hapet një tjetër shkollë profesionale pas një bashkëpunimi me qeverinë italiane, ku të rinjtë që do të zgjedhin këtë shkollë do të mund të specializohen më tej. Por a janë të gjithë shkollat profesionale brenda standardeve të kërkuara dhe pse ka dështuar ky sistem.

“Shumë shkolla do të shkojnë këtë vit me drejtues të rinj. Nuk do të kemi më shkolla me 2 nxënës në klasë. Kjo tregon se këto institucione janë keqmenaxhuar. Edhe pse ka pasur raste kur këto shkolla profesionale kanë pasur nxënës, ato i kanë orientuar sërish ata tek matura shtetërore”, tha Veliaj.

Pas një inspektimi të detajuar ka rezultuar se në shumë shkolla profesionale ka munguar menaxhimi i saktë nga drejtuesit dhe ka shumë hapësira ku duhet investuar. Arsimi profesional nuk duhet të shihet si mundësi shkollimi vetëm për ata nxënës të cilët e kanë të vështirë të marrin nota kaluese në sistemin bazë, por si një investim i mirë për të rinjtë për të gjetur vende pune.

Top Channel