Menjëherë pas deklaratave të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kreut të Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe kryeministrit Edi Rama, në takimin e organizuar prej të parit me praninë edhe të inspektorëve të rendit, të cilët tashmë janë ngarkuar edhe me luftimin e krimit mjedisor, ka ardhur edhe reagimi nga selia e PD.

Ka qenë deputeti Bedri Mihaj ai që ndër të tjera ka thënë se “me bekimin e Edi Ramës dhe me përkujdesin e tij të veçantë, INUK ka thelluar këto ditë një aksion selektiv e korruptiv të prishjes së ndërtimeve në vend. Me arbitraritet, ditën për diell e në sytë e të gjithëve, prishet shtëpia e dikujt, që nuk ka njohje e lidhje me oligarkinë, dhe lejohet ndërtimi i dikujt tjetër, që ka njohje, ka lidhje me oligarkinë në pushtet”, është shprehur deputeti Mihaj.

Më pas ai ka akuzuar se ndërtimet pa leje vazhdojnë edhe sot, duke thënë se ato bëhen“me bekimin e Edi Ramës dhe me kujdesin e tij të veçantë”. “Ka raportime për themele që hidhen dhe tulla që vihen pa leje, nga bregu i Jugut deri në Shkodër. Këto janë sarajet e miqve dhe klientelës së Edi Ramës. Këto shembje selektive e korruptive të ndërtimeve, dhe ndërtimet pa leje që po mbijnë si kërpudha qeveritare lart e poshtë, vazhdojnë edhe tani që propaganda e kryeministrit për territorin arrin kulmin”, tha Mihaj, duke iu referuar takimit të Tahirit me inspektorët e policisë.

“Propaganda e tij mashtruese bëhet shqetësuese, kur ndodh në sytë e Policisë së Shtetit, e cila thirret nën armë për interesat klienteliste të kryeministrit me territorin, ndërkohë që krimi po shtang çdo ditë qytetarët, kur aksidentet po marrin jetë njerëzish, kur vjedhjet e grabitjet me dhunë nuk ndalen. Shqiptarët po jetojnë çdo ditë realitetin, kur qeveria dhe INUK-u i saj dhunojnë dhe sillen arbitrarisht me pronën. Shkelin ligjin dhe shtypin qytetarët. Lejojnë miqtë e tyre të kamen dhe në të njëjtën kohë tregohen të pamëshirshëm me të pamundurit, me ata që nuk kanë fije me oligarkinë”, tha ndër të tjera deputeti i PD.

PD: Propaganda nuk e mbulon dot inkriminimin

Pak më vonë, nga selia e PD doli koordinatorja për mediat Silvi Bardhi, e cila risolli sërish në vëmendje atë që demokratët e konsiderojnë inkriminim të administratës, zyrave të shtetit dhe Kuvendit.

E nxitur edhe nga fjalimi i sotëm i kryeministrit, Silvi Bardhi e nisi fjalimin sërish duke goditur “propagandën” e Edi Ramës.

“Sado e përditshme, e bollshme dhe e fryrë të jetë propaganda e Edi Ramës, ajo nuk e mbulon dot inkriminimin vertikal dhe horizontal që i ka bërë administratës, zyrave të shtetit. Edi Rama, me vendosmëri, pa u ndalur para asgjëje, e ka dërguar inkriminimin në nivelet më të larta, deri në Parlament. Të dënuarit për trafik droge, për prostitucion, për rrëmbim personi, për kontrabandë, janë bërë aseti i Edi Ramës, me të cilët ai ka kapur postet kyçe dhe po administron pushtetin. Edhe në rastet kur nuk janë angazhuar drejtpërdrejt vetë, kur nuk janë bërë deputetë, kryetar të Këshillit të Qarkut, apo drejtorë, trafikantët financojnë dhe kanë njerëzit e tyre në pushtet”, është shprehur Silvi Bardhi.

Sipas saj, PD do të vazhdojë të bëjë transparencë mbi lidhjet kriminale të Ramës dhe mbi dosjet e njerëzve të tij më të afërt, që sot kanë pushtetin në dorë.

“Kjo do të thotë të gëzosh imunitet e t’i shpëtosh drejtësisë, edhe kur shpallesh në kërkim nga gjykata italiane, apo e Venezuelës së largët. Partia Demokratike do të bëjë transparencë të plotë për të gjitha lidhjet kriminale të Edi Ramës dhe për dosjet tronditëse të njerëzve më të afërt të mazhorancës, që kanë pushtetin real në vend”, përfundoi koordinatorja për mediat, e cila në fund theksoi se “i vetmi produkt deri më tani i kësaj qeverie është inkriminimi i kryeministrit”.

Top Channel