Algjeri, sulmuesi vdes në fushë, e godasin tifozët

24/08/2014 00:00

Futbollisti kamerunas Albert Ebosse ka ndërruar jetë në fushën e lojës, pasi është goditur nga një send i hedhur nga shikuesit, pas startit të një ndeshjeje në Algjeri.

Ebosse, 24-vjeçar, është deklaruar i vdekur pasi ishte dërguar fillimisht në spital, në Tizi Ouzou, në lindje të kryeqytetit Algjer.

Sulmuesi i JS Kabylie, i cili kishte shënuar një gol në humbjen 2-1 përballë USM Alger, u godit nga njëri prej sendeve të shumtë të hedhur nga tifozët, teksa ekipet po hynin për në dhomat e zhveshjes, pas përfundimit të ndeshjes.

Ministria algjeriane e Brendshme ka urdhëruar një hetim. Ebosse ishte kryegolashënues i kampionatit algjerian gjatë sezonit 2013-2014, me 17 gola të shënuar.

Ende nuk është konfirmuar se çfarë e ka goditur Ebossen, por një gazetë algjeriane bënte të ditur se tifozët vendas, të irrituar nga humbja e ekipit të tyre, hodhën në fushë edhe gurë.

Një deklaratë e klubit ku luante Ebosse bënte të ditur se ai “kishte pësuar një plagë në kokë”, pasi ishte goditur në fundin e ndeshjes.

Ekipi kundërshtar, USM Alger, e përshkroi lajmin e vdekjes së Ebosses si një “bombë”, të tmerrshëm dhe të trishtueshëm.

Top Channel