Milan fiton “Trofeun Tim 2014”

24/08/2014 00:00

Edicioni i 14 i “Trofeut Tim”, i cili shërben edhe si parapërgatitje përpara kampionatit, është zhvilluar ditën e shtunë në Reggio Emilia, në stadiumin “Mapei”.

Aty ku kuqezinjtë e Milanit kanë mposhtur 1-0 Juventusin, në ndeshjen e
parë 45-minutëshe të turneut, falë një goli të Hondas, e më pas me të
njëjtin rezultat kanë triumfuar edhe bardhezinjtë ndaj Sassuolos, me gol
të Pereyras, ndërsa në ndeshjen e tretë, emilianët janë mposhtur 2-0
nga skuadra e Inzaghit, që triumfoi falë penalltisë së konvertuar në gol
nga Menez, si dhe një gol i El Shaarawyt.

Të dhënat e kësaj “triangolareje”, që zhvillohet me sfida 45-minutëshe mes 3 skuadrave pjesëmarrëse, skuadra që duken të revolucionarizuara në secilin prej takimeve, nuk mund të jenë të shkëlqyeshme. Por, Milani i Inzaghit, kur duhet edhe 1 javë nga fillimi i Serie A, tregoi një përgatitje fizike inkurajuese dhe një organizim loje të qartë e decizive.

Mbi të gjitha, kuqezinjtë kanë rigjetur një El Shaarawy në superformë, gjë që duket se i ka bërë të harrojnë shumë shpejt Balotellin. Shumë mirë ka luajtur edhe De Sciglio, i cili ndaj Juventusit dha asistin për golin e Hondas, pas krosimit nga e majta. Edhe më mirë japonezi, i cili u aktivizua në krahun e djathtë të repartit të avancuar, duke qenë gjithnjë aktiv dhe i rrezikshëm.

Një mbrëmje jo shumë e mirë për Juven, mekanizmat e së cilës nuk janë “kolauduar” ende, teksa reparti më problematik duket të jetë mbrojtja, edhe pse Allegri aktivizoi në të dyja sfidat 4 mbrojtës. Skema e re u ofron alternativa të shumta kampionëve në fuqi, por të paktën për momentin, nuk duket të jetë asimiluar në perfeksion.

Top Channel