Nis Bundesliga, fitore e vuajtur për Bayern

22/08/2014 00:00

Ka nisur sezoni i ri futbollistik në Bundesligën gjermane me ndeshjen mes kampionëve në fuqi të Bayern-it dhe Wolfsburg-ut.

Bavarezët kanë arritur të marrin një fitore të vështirë në “Allianz Arena” me rezultatin e ngushtë 2-1. Të besuarit e Guardiolës arritën të kalonin në avantazh që në pjesën e parë me anë të Muller, i cili arriti të shënonte në minutën e 37 të takimit.

Ndërsa me të filluar pjesa e dytë, holandezi Robben dyfishoi shifrat pas një muri me Lewandoëskin. Bayerni u duk sikur e kishte mbyllur ndeshjen, por harroi se në fushë ishte Ivica Olic, që e njeh mirë këtë skuadër. Pikërisht sulmuesi kroat i dha shpresë miqve të Heckingut pesë minuta më pas.

Në minutat e mbetura miqtë fituan besim në vetvete dhe po kërkonin me ngulm golin e barazimi, ndërsa ritmi i Bayern-it ra falë edhe mungesës së shumë prej titullarëve në këtë ndeshje hapëse të kampionatit.

Për t’u shënuar ishte një rast flagrant i humbur në minutën e 79 nga lojtari i  Wolfsburg, Malanda, i cili nuk arriti të dërgonte topin në rrjetën e Neuer.

Top Channel