“Po shkojmë në drejtimin e duhur”

22/08/2014 00:00

Buzëqesh sërish lideri i provave të lira, Lewis Hamilton, i cili lëshon sfidën: “Nuk e kam përjetuar kurrë ndienjën perfekte në karrierën time, nuk ndodhi as sot. Në disa kthesa ndihesh mrekulli, por në të tjera nuk ecën ashtu siç duhet. Duhet të gjej një kompromis, sepse makina perfekte nuk ekziston kurrë. Megjithatë jam i lumtur për hapat përpara që kemi bërë, sepse janë gjëja e duhur. Mezi pres të kthehem në pistë për kualifikueset dhe garën”.

Praktikisht është si një paralajmërim sfidues ndaj Nico Rosberg, i cili duket se nuk frikësohet shumë nga shoku i skuadrës, por përqendrohet te puna e tij: “Kemi hequr pak nga ngarkesa aerodinamike në fund, sepse të tjerët po shfaqeshin më mirë deri tani. Kjo sepse nevojitet të mendojmë për garën, për të evituar parakalimet e menjëhershme që në nisje. Megjithatë, me më pak ngarkesë do të jetë e ëvshtirë të garojmë, sepse rrëshqet shumë. Do të jetë një garë e gjatë, ku gomat konsumohen shumë. Duhet të përgatitemi mirë, pasi këtë fundjavë do të kemi më shumë rrezikshmëri nga rivalët. Alonso duket mirë me Ferrarin, por është e vështirë të kuptosh se cili është i shpejtë”.

Ndërsa me fytyrë të ngrysur ka dalë Sebastian Vettel, i cili nuk ka mundur të garojë gjatë pasdites. “Nuk kisha zgjidhje tjetër, por nuk jam i lumtur për këtë që kemi bërë gjatë mëngjesit. Duhet përmirësuar motorri, ndoshta të vendosim një tjetër… Kjo ishte e qartë prej kohësh, por çështja është se sa na duhen deri në fund të sezonit? Do të shohim, por mund të na duhen më shumë nga sa ishin parashikuar. S’kam shumë për të thënë, por pata probleme me motorrin dhe shkarkimin”.

Top Channel