Presidenti kthen ligjin për ndarjen e re

22/08/2014 00:00

Ashtu siç pritej, presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk ka dhënë pëlqimin për ligjin e ndarjes së re administrativo-territoriale. Kreu i shtetit e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ndarjen e vendit në 61 bashki, duke e shoqëruar me shprehjen e keqardhjes për mospërmbushjen dhe mospërputhjen ligjore dhe kushtetuese të tij.

Në argumentin e parë, ndër tre të tillë që ka dhënë presidenti kur e ka kthyer ligjin në Parlament, është konsultimi i qytetarëve. Presidenti thotë se ligji nuk ka marrë mendimin e tyre dhe këtë gjë ai e ka konstatuar, siç thotë, nga bashkëbisedimet me një pjesë të konsiderueshme të përfaqësuesve të njësive vendore.

“Arrij në këtë konkluzion pas një analize të gjerë dhe të mirëdiskutuar me ekspertë të pushtetit lokal, zhvillimit rajonal dhe planifikimit të territorit me të cilët ndajmë një mendim të përbashkët, se kemi të bëjmë me një proces aspak transparent”, thotë Nishani.

Në argumentin e dytë të dhënë nga kreu i shtetit renditet decentralizimi. Kjo çështje, që u vu kusht nga PD për të marrë pjesë në këtë reformë, përmendet nga presidenti në një tjetër formë.

“Sa më shumë të ulet numri i njësive të qeverisjes vendore dhe sa më të mëdha të bëhen ato, aq më shumë cënohen parimet e decentralizimit të pushtetit vendor dhe autonomisë vendore, të cilat janë të sanksionuara në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, nënvizon Nishani.

Në argumentin e fundit që presidenti ka përdorur për t’i kthyer mazhorancës ligjin për rishqyrtim është ai se reforma territoriale nuk u parapri nga ndryshimet e duhura, sipas Nishanit, të dy ligjeve të tjera.

Së pari, atij për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Por presidenti sheh të nevojshëm edhe ndërhyrjen në një tjetër ligj, të pakpërmendur nga faktori politik, atë elektoral.

Në bindjen e kreut të shtetit, reforma territoriale duhej të ishte bashkëshoqëruar me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke e cilësuar këtë të domosdoshme në prag të zgjedhjeve vendore, vetëm 5 muaj nga afati i shpalljes së datës së tyre nga presidenti.

Presidenti e mbyll dekretin me nënvizimin e nevojës për rishqyrtim të këtij ligji. Kthimi i reformës territoriale në Kuvend i shtohet bilancit të ligjeve të rëndësishme me 84 vota që presidenti ia kthen mazhorancës, marrëdhëniet me të cilën tashmë kanë kaluar në konflikt të hapur.

Por pavarësisht se në fund presidenti e mbyll duke kërkuar mirëkuptimin e deputetëve, mazhoranca pritet të rrëzojë dekretin e tij në Kuvend, votim që nuk kërkon shumicën e cilësuar.

“Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, por rruga e tij do t’i kthehet mbrapsht menjëherë pa humbur kohë sepse Shqipëria nuk ka kohë për të humbur më me argumentat e Partisë Demokratike dalë nga goja e Presidentit”, deklaroi kryeministri Edi Rama një ditë me parë.

Nisur nga kjo deklaratë e shefit të qeverisë, ndarja territoriale do të mbetet ajo që u miratua më 31 korrik, por kthimi i ligjit nga presidenti, pavarësisht se nuk pritet të ketë efekt mbi përmbajtjen e tij, më shumë duket se do t’iu japë edhe njëherë mundësinë kundërshtuesve të saj për t’iu rikthyer debatit për hartën terrioriale.

Top Channel