Nga një janari i vitit 2015 pritet të hiqen çmimet e shërbimit Roaming për bisedat telefonike mes  qytetarëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Turqisë, Bullgarisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës.

Paralajmërimi u bë të enjten nga kryetari i Agjencisë për Komunikime Elektronike në Maqedoni, Robert Ordanovski, i cili realizoi një takim në Shkup me kolegët e shteteve të përfshira në këtë nismë. Ai tha se për zbatimin e kësaj nisme nuk ekziston asnjë pengesë ligjore.

“Derisa presim para Komisionit Europian për përshtatje të çmimeve tona me ato europiane, të cilat janë katër deri pesë herë më të ulta, ne rregullatorët ballkanik vendosëm të dakordohemi në mënyrë bilaterale dhe multilaterale që të hiqet roaming-u për shfrytëzuesit tanë. Në këtë mënyrë do t’u mundësojmë qytetarëve tanë të cilët udhëtojnë nëpër Ballkan komunikim dhe biseda më të lira me telefonat celularë”, tha Robert Ordanovski, kryetari i Agjencisë për Komunikime Elektronike në Maqedoni.

Për heqjen e roaming-ut pritet së shpejti të firmoset një marrëveshje, e cila më pas duhet të miratohet edhe nga Parlamentet e shtatë shteteve që do të përfshihen në zbatimin e kësaj nisme. Heqja e roaming-ut do të vlejë për të gjitha shërbimet, siç janë bisedat telefonike, sms-të dhe përdorimi i internetit.

Top Channel