Ndërtuesit e HEC-it në protestë

21/08/2014 00:00

Rreth 600 punonjës shqiptarë të HEC-it të Banjës kanë bojkotuar punën që prej mbrëmjes së të mërkurës. Ata kanë parashtruar para drejtuesve të firmës kërkesat e tyre për kushtet e renda të punës.

Të mbështetur edhe nga sindikata e punonjësve, ata kërkuan pagesën e orëve shtesë të punës, ditët e fundjavës dhe festat zyrtare. Gjithashtu, ata kërkuan nga Ministria e Punës të shohë nga afër gjendjen në të cilën punojnë.

“Herën e parë asnjë fjalë nuk është mbajtur, por vetëm mashtrime dhe paralajmërime për largim nga puna. Kërkojmë të zbatohet Kodi i Punës, të respektohen vështirësitë e natës, të paguhen orët shtesë gjatë ditës, sepse punojmë 10 orë. Gjithashtu, kërkojmë të na njihen ditët e fundjavës dhe festat zyrtare se s’kemi bërë asnjë ditë pushim e as leje”, thotë një prej tyre.

“Këta na kërcënojnë. Dy herë na i kanë bërë. ‘Nëse nuk vini në punë, do të largoheni nga kampi’, thonë. Kanë thënë se do të përdorin prishjen e kontratës dhe në rast të kundërt do zbatojnë forcën”, tregon një tjetër.

Nënkryetari i Sindikatës, Fadil Kamami i bëri thirrje firmës nënkontraktore “Limak” që të zbatojë Kodin shqiptar të Punës. “Paga është shumë e ulët. Punojnë 12 orë në ditë me detyrim. Presioni është i madh, një gjë të vogël të bëjnë turku u thotë të ikin në shtëpi. Rroga minimale duhet të jetë 300 euro për punëtorin, 500 për shoferin”, deklaron Kamami.

Nga ana tjetër, drejtuesi i projektit u shpreh se po punohet sipas ligjit dhe kushteve shqiptare. Ai tha se do të shqyrtohen kërkesat e punëtorëve në ato pika ku ato qëndrojnë.

“Jemi duke punuar me një projekt madhor siç është HEC-i i Banjës. Që nga mbrëmë punonjësit kanë ndërmarrë një grevë për kushtet e punës. Ne kemi punuar brenda kushteve që parashikon Kodi shqiptar i Punës, sipas të gjitha rregullave. Si në çdo proces pune, edhe në kantierin tonë mund të ketë probleme. Mendoj që pagat, kushtet e punës, kushtet e fjetjes dhe ushqimit janë në një standard të mirë. E mirëmbajmë dhe e kontrollojmë kantierin tonë me standardet më të larta të shëndetit dhe sigurisë në punë. Deri tani nuk kemi pasur asnjë incident të rëndë, por disa nga punonjësit mund të kenë probleme. Jemi në bisedime me ta dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje. Procesi i punës nuk është cënuar nga greva e punonjësve, pasi kemi marrë masa, por shpresojmë ta zgjidhim sa më parë”, deklaroi Mustafa Ozgar.

Protesta e punonjësve të HEC-it të Banjës është e përsëritur. Vetëm tre muaj më parë ata bojkotuan punën për të njëjtat kërkesa. Në atë kohë drejtuesit e “Limak” premtuan se do të gjendej një zgjidhje në të mirë të përbashkët, por ende situata vazhdon të mbetet problematike.

Top Channel