Rusia zgjeron hetimet ndaj McDonald’s

21/08/2014 00:00

Autoriteti ushqimor mbikëqyrës në Rusi ka njoftuar kontrolle të papritura ndaj zinxhirit të restoranteve McDonald’s në të gjithë vendin, në kuadër të një hetimi mbi standardet e ushqimit.

Lëvizja vjen pasi institucioni në fjalë mbylli përkohësisht katër restorante McDonald’s në Moskë dhe në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit për sanksionet e lidhura me krizën ukrainase janë më të larta se kurrë.

Përmes një komunikate, enti rregullator mohoi zërat se kontrollet e tij janë të motivuara politikisht. “Ka ankesa për cilësinë dhe sigurinë e produkteve në këto restorante”, deklaroi enti shtetëror rus.

Ndërsa McDonald’s, nga ana e tij, deklaroi se “cilësia maksimale” e ushqimit është prioriteti i tij dhe shtoi se po shqyrton deklaratat e institucionit mbikëqyrës për standardin e ushqimeve, për të identifikuar atë që duhet bërë për të rihapur sa më shpejt të jetë e mundur restorantet e tij në Moskë.

Ndërkohë, korrespondenti i BBC në Moskë tha: “Dyshimet ekzistojnë vetëm sepse McDonald’s është një nga simbolet e Amerikës. Prandaj po hapin këto probleme”.

Edhe deputetët e Parlamentit rus kanë bërë gjithashtu thirrje për kontrolle ndaj markave të tjera amerikane të ushqimit të shpejtë, përfshirë Burger King dhe KFC, shton reporteri.

“Duket qartë, ndoshta jo në publik, se personat në pushtet po humbasin oreksin për ushqimin e shpejtë amerikan”, thotë ai.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Ria Novosti” raportoi se enti rregullator po përgatitet ta padisë kompaninë amerikane në gjykatë për shkelje të rregullave për sigurinë e shëndetit. Vetë McDonald’s refuzoi të komentonte një lajm të tillë.

Top Channel