Mundësitë e Konferencës së Berlinit

21/08/2014 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, në një intervistë për Top-Channel, e shikon Konferencën e Ballkanit në Berlin si një moment të rëndësishëm dhe specifik për proceset integruese, në një kohë kur perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian për rrethana historike, politike dhe aspekte strukturore se si funksionojnë shoqëritë në Ballkan, do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë.

Këtë, Bushati e ilustron edhe me platformën programatike të Presidentit të ri të BE-së, Jean Claude Junker, sipas të cilit në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim të BE-së.

“Ky është një takim, që do të mbledhë së bashku jo thjesht kryeministrat e rajonit, ministrat e Jashtëm dhe ata të Ekonomisë, por dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, të institucioneve ndërkombëtare, me qëllim për të identifikuar rrugët politike, ekonomike, institucionale, që do ta afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër do të kanalizojnë të gjitha energjitë për të siguruar vazhdimësinë e transformimit demokratik, qeverisjes më të mirë ekonomike, bashkëpunimit më të përforcuar rajonal dhe afrimit të rajonit, për pasojë, me Bashkimin Europian”, u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Në këndvështrimin e ministrit Bushati, Konferenca do të ndihmojë gjithashtu në shpalosjen e ideve për një strukturim akoma më të mirë të vendeve të Ballkanit.

“Sot për sot, Ballkani, pavarësisht se dëshirojmë ta quajmë një rajon, nuk është i tillë. Të gjithë jemi koshientë që është më e lehtë të shkosh sot në Vjenë, në Mynih, në Romë, në Athinë apo Stamboll, se sa të shkosh në Sarajevë, Beograd, Shkup, Zagreb. Pra në këtë pikëpamje, të gjitha energjitë e Gjermanisë, aktorëve kryesorë dhe vendeve të rajonit janë për ta strukturuar më tej afrimin e Ballkanit me BE, duke e transformuar njëkohësisht edhe këtë në një rajon, në kuptimin e plotë të fjalës”, vijoi më tej zoti Bushati.

Daljen e pritshme të Kancelares Merkel me kryeministrin Rama, në konferencën për shtyp, ministri Ditmir Bushati e shikon si një përgjegjësi dhe jo triumf. Ai jep tri arsye për këtë zjedhje të Merkel.

“Shqipëria është një vend që mban Presidencën e radhës të iniciativës së Europës Juglindore dhe kryeministri Rama për pasojë është drejtues i kësaj iniciative. Së dyti, Shqipëria, këtë vit, mori statusin e vendit kandidat dhe përbën një lajm në raport me vendet e tjera në këtë proces. Së treti, Shqipëria është një vend i cili me rigorozitet, gjatë gjithë periudhës së krizës në Ukrainë i është përmbajtur vlerave europiane, duke njehsuar qendrimet e saj në politikën e jashtme. Në këtë kontekst, është e logjikshme, që të ketë një ndarje detyrash ndërmjet vendeve dhe një përcaktim luajal të rolit të secilit në këtë proces”, përfundoi intervistën ministri Bushati.

Top Channel