Rama: Do të rivotojmë ligjet e kthyera

21/08/2014 00:00

Për herë të parë, kryeministri Edi Rama ka folur publikisht përpara mediave për superskandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë.

Kreu i ekzekutivit ka shpjeguar edhe heshtjen e tij për këtë çështje përgjatë kësaj kohe. Duke risjellë në vëmendje, se Banka Qendrore është një institucion i pavarur, ai iu përgjigj pyetjes se, përse nuk ka kërkuar dorëheqjen e guvernatorit Adrian Fullani.

“Si Kryeministër s’mund t’i kërkoj dorëheqjen kryetarit apo drejtuesit të një institucioni të pavarur, e para, por nga ana tjetër është një sfidë për Kuvendin dhe Qeverinë, që do të thotë që Kuvendi dhe qeveria do ta realizojë. Ne po bëjmë analizën duke e ndjekur përditë zhvillimin. Kemi të domosdoshme të godasim në shenjë gjithmonë, por në rastin konkret të godasim plotësisht në shenjë duke nxjerrë konkluzion e saktë që të mos hyjmë në luftë politike me Bankën. Përvoja të ngjashme në vende të tjera kanë treguar që është përvojë e hidhur dhe kundërproduktive për politikën dhe shoqërinë. Kjo nuk i heq asnjë presje shqetësimit tuaj dhe shoqërisë civile, kërkesës së saj dhe gjithë këtij shqetësimi që është krijuar nga një ngjarje e rëndë që duhet tratjuar nga ne me vëmendje maksimale dhe vendosmëri maksimale”, tha Rama.

Në konferencën për shtyp, të parën pas ndërprerjes së pushimeve verore, kreu i ekzekutivit i është përgjigjur, për më shumë se dy orë, interesimit të medias, por edhe publikut përmes rrjeteve sociale.

“Duket shpesh gabimisht sikur qeveria duhet të flasë e para. Qeveria duhet të flasë e fundit, kur është fjala për raste të kësaj natyre sepse mund të bëjmë një faj shumë të madh”, shtoi Kryeministri.

I pyetur për kthimin e ligjeve të rëndësishme nga Presidenti Bujar Nishani, kreu i ekzekutivit tha se veprimi i tij përcolli qëndrimin e PD.

“Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, por rruga e tij do t’i kthehet mbrapsht menjëherë pa humbur kohë sepse Shqipëria nuk ka kohë për të humbur më me argumentat e Partisë Demokratike dalë nga goja e Presidentit”, u përgjigj Rama.

Marrë parasysh një kthim të paralajmëruar nga Presidenti edhe të ligjit për Reformën Territoriale, shefi i qeverisë tregoi vendosmërinë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore në pranverën e vitit 2015 me këtë ndarje të re territoriale.

Pollo: Rama nuk iu përgjigj pyetjeve
Bëri show mediatik, asnjë fjalë për shqetësimet e ngritura nga opozita

Në emër të Partisë Demokratike, ish-ministri Genc Pollo akuzoi kryeministrin Rama se në konferencën për shtyp nuk dha llogari e as nuk sqaroi asnjë nga çështjet për të cilat opozita ka ngritur shqetësime, duke renditur 11 të tilla.

Sipas opozitës, kryeministri heshti dhe nuk dha llogari për inkriminimin e Parlamentit me të dënuar për trafik prostitucioni, inkriminimin e administratës publike me të dënuar edhe për vepra të tjera të rënda penale, për marrëveshjen me CEZ-in në dëm të interesave të qytetarëve, reformën territoriale të pakonsultuar me qytetarët, etj.

Në këndvështrimin e Partisë Demokratike, duke treguar mungesë të plotë respekti ndaj saj dhe injorim ndaj qytetarëve, kryeministri nuk u përgjigj as për mosmbajtjen e premtimeve më të rëndësishme elektorale.

“Nuk sqaroi pse pas një viti në pushtet të qeverisë Rama asnjë legalizim nuk është bërë falas, shëndetësia është bërë dhe po bëhet me e shtrenjtë dhe gjithë treguesit e rendit publik janë përkeqësuar, ndërkohë që mijëra vende të reja pune janë humbur. Nuk sqaron pse lan e lyen zyrat e punës kur punësimi bëhet në zyra të tjera, me pazare nga më të ndryshmet, si ato që kemi parë në ditët e fundit. Nuk sqaroi dhe nuk dha llogari pse është e inkriminuar administrata publike me trafikantë e rrëmbyes fëmijësh nga drejtoritë e rretheve e deri tek kryetari i qarkut të Vlorës”, tha Pollo.

Në çështjet e ngritura nga opozita nuk ishte ajo e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, një çështje për të cilën kryeministri u pyet nga gazetarët dhe mesa duket dha një shpjegim shterrues edhe për opozitën.

Basha: Vendi digjet, Rama krihet

Pas konferencës së shtypit të kryeministrit Rama reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha tha se, “Shqipëria digjet, ndërsa kryeministri krihet”.

“Turizmi në ditën e tij më të zezë. Aksidentet janë shtuar, vrasjet po ashtu. Ekonomia në krizë, papunësia në rritje. Të vetmit sektorë në ngjitje: propaganda dhe sekserët e pushtetit!”, shkruan Basha. 

Top Channel