Gjermania do të armatosë kurdët

21/08/2014 00:00

Në një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të saj, qeveria gjermane po shqyrton mundësinë e furnizimit me armë të kurdëve në Irakun e Veriut, në luftën kundër militantëve të ISIS-it.

Arsenali, që do të dërgohet në rast nevoje, nuk përmban thjesht aksesorë, si dylbi ushtarake apo jelekë antiplumbi, por armatime të rënda.

“Gjermania, – tha shefi i diplomacisë Frank-Walter Steinmeier, – do të veprojë me maturi të veçantë në këtë aspekt dhe çdo veprim do ta koordinojë me aktorët ndërkombëtarë”.

Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e cituar nga “Deutsche Welle”, e argumentoi këtë hap “me përparimin e shpejtë dhe mënyrën veçanërisht brutale të militantëve islamik”.

Të dy ministrat theksuan se moskalimi në aksion prek interesat gjermane të sigurisë. “Pasojat do të ishin shumë të mëdha”, është shprehur Steinmeier.

Krahas Gjermanisë, gatishmërinë për t’i dërguar armë luftëtarëve kurdë e kanë shprehur edhe Franca, Italia e Britania e Madhe. “Bundesëehr”-i pritet të sqarojë deri javën e ardhshme, se çfarë lloj armësh do të dërgohen nga shtetet e tjera, për një koordinim sa më të mirë.

Problemi i armatimit të kurdëve qëndron edhe te mosnjohja e teknikave të armëve moderne. Ata janë të familjarizuar me armë të tipit rus, kallashnikovë AK-47, por nuk dinë të përdorin armë të shpejta si G36-at gjermane.

Ndaj, në këto kushte, është e pamundur që kurdët të pajisen me armë të teknologjisë së lartë, por po shqyrtohet edhe mundësia e trajnimit të instruktorëve kurdë.

Top Channel