F1, Hamilton: Kundër Rosberg, sfidë më e vështirë

21/08/2014 00:00

Një sfidë që zhvillohet me 300 km/h. Kjo është mënyra se si e shikon Lewis Hamilton betejën e tij për titullin kampion kundër shokut të skuadrës te Mercedes, Nico Rosberg, i cili udhëheq klasifikimin me 11 pikë avantazh ndaj britanikut.

Një rivalitet gjithnjë e më shumë i ndezur që, duke nisur nga Çmimi i Madh i Belgjikës, – i cili do të zhvillohet në Spa-Francorchamps përgjatë fundjavës 22-23-24 Gusht, e që do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD, – do të shkruajë të tjerë kapituj.

Hamilton pranon se kjo sfidë e veçantë për titullin është më e vështirë nga ato që ka kaluar gjatë viteve të kaluar. “Beteja është më intensive këtë vit, – është shprehur britaniku. – Kur garoja kundër Kimi Raikkonen (2007) dhe Felipe Massas (2008, u shpall kampion), ata ishin nëpër skuderi të ndryshme dhe makinat e tyre kishin pikat e tyre të forta e të dobta, krahasuar me makinën time.

Por, tashmë, garoj kundër një piloti që ka të njëjtën makinë si unë, të dy kemi akses ndaj të njëjtave të dhëna, kështu që është shumë më e vështirë të kërkosh të jesh në krye. Është si të thuash po zhvillon një lojë poker, ku normalisht kundërshtari nuk e di se çfarë letrash ke në dorë, ndërsa unë dhe Nico mund të shohim letrat e njëri-tjetrit. Ndaj dhe është shumë më e vështirë të mposhtim njëri-tjetrin”.

Hamilton shton se të qenit në garim kundër shokut të skuadrës është më e vështirë, por njëkohësisht edhe më e bukur si sfidë, pasi kështu i shijon shumë herë më tepër garat, nga njëra te tjetra. “Sigurisht që është më impenjative se sa të sfidosh dikë nga një skuderi tjetër, sepse kështu duhet të gjesh mënyrën se si të krijosh ato marzhet e vogla të diferencimit nga shoku yt”.

Top Channel