“Shqipëria, rol kyç në Samitin e Berlinit”

20/08/2014 00:00

“Sikur Shqipëria të kishte dëgjuar 30 vite më parë mesazhet e Franz Josef Strauss-it, tashmë do të ishte pjesë e Bashkimit Europian.” Me këto fjalë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka vlerësuar rolin e ish-kryeministrit të Landit të Bavarisë, i cili 30 vite më parë vizitoi vendin tonë.

Këto deklarata, Meta i bëri gjatë një pritje të zhvilluar në përkujtim të kësaj ngjarje, ku të pranishëm ishin dhe një grup përfaqësuesish të Bundestagut Gjerman, të drejtuar nga nënkryetari i Bundestag-ut, Johannes Singhammer.

Nga ana e tij, Meta vlerësoi bashkëpunimin me Gjermaninë, si një prej partnerëve kryesor të Shqipërisë.

“Shqipëria e vlerëson Gjermaninë si partner jashtëzakonisht të rëndësishëm strategjik për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen europiane. Ne çmojmë pa fund mbështetjen e vyer gjermane në përpjekjet tona për forcimin e sundimit të ligjit dhe jam i bindur që bashkëpunimi do të jetë mjaft i ngushtë, sidomos në realizimin e reformës së drejtësisë”, tha Ilir Meta.

Ndërkaq, nënkryetari i Budestagut vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, duke përmendur dhe forumin që do të mbahet pas një jave në Berlin.

“Është një kënaqësi e madhe të konstatojmë se Shqipëria është një faktor i stabilitetit në rajon dhe që rëndësia e Shqipërisë dhe në kontekstin e Konferencës së Vendeve të Ballkanit Perëndimor që do mbahet javën e ardhshme në Berlin, është gjithnjë në rritje. Është diçka që duhet të ndodh kështu. Sigurisht që dëgjoj me kënaqësi, siç e përmendi kryetari Kuvendit, zoti Meta që Gjermania vazhdon të mbetet një mënyrë shembulli për t’u ndjekur nga Shqipëria. Por më lejoni t’jua kthej komplimentin. Shqipëria ka një shembull për t’u ndjekur për sa i përket bashkëjetesës së komuniteteve fetare dhe për këtë ky vend mund të jetë krenar”, u shpreh Johannes Singhammer, nënkryetari i Bundestag-ut.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Hellmut Hoffmann, ‘pa doreza’ i bëri të qartë gjithë vendeve të Ballkanit rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe i kujtoi Kryeministrit Rama se, ai do të jetë përfaqësuesi i gjithë vendeve të rajonit, pas një jave në Berlin.

“Në 15 vitet e fundit në Shqipëri janë shënuar zhvillime të rëndësishme dhe kjo është një arsye se pse Shqipëria përpara pak kohësh mori Statusin e vendit kandidat. Por mbeten ende sfida të tjera për t’u kapërcyer dhe për këtë dëshirojmë të punojmë së bashku. Një element është dhe konferenca e javës së ardhshme, që është thirrur nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Lidhur me këtë pikë dëshiroj të them që në kontekstin e politikave rajonale, Shqipëria jep një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Dhe më lejoni t’ju them zoti Kryeministër që gjatë konferencës ju nuk do të jeni thjeshtë përfaqësues i vendit tuaj, por edhe në përfaqësim të forumit me vendet e Europës jugperëndimore”, deklaroi Ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffmann.

Kryeministri i vendit Edi Rama, duke u ndalur tek roli i rëndësishëm i Franz Josef Strauss, shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Gjermaninë dhe veçanërisht me Landin e Bavarisë.

“Franz Josef Strauss bëri një përpjekje reale për të krijuar një marrëdhënie konkrete me regjimin e atëhershëm, por u desh të rrëzohej Muri i Berlinit që të fillonte transformimi i madh historik që bëri që ne sot të jemi pjesë e atij komuniteti të madh vendesh të lira dhe demokratike të Europës, ku Franz Josef Strauss tentoi të na afronte para kohe. Unë besoj që edhe ky kremtim që ne i bëjmë atij momenti është shprehje e një vullneti, jo thjesht për të kujtuar një njeri që u bë pa pritur mik i shqiptarëve, por edhe për të shprehur dëshirën tonë të madhe që të forcojmë vazhdimisht marrëdhëniet me Gjermaninë dhe pse jo në mënyrë të posaçme edhe me Landin e Bavarisë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Të pranishëm në këtë ceremoni, veç deputetëve nga të dy parlamentet ishte dhe djali i Franc Jozef Shtrausit, i cili risolli kujtimet e udhëtimit në Shqipëri së bashku me të atin 30 vite më parë.

Top Channel