Opozita, brenda dhe jashtë Kuvendit

20/08/2014 00:00

Dhjetë ditët në vazhdim do të jenë të rëndësishme për Partinë Demokratike, sepse asaj i duhet të vendosë nëse do të rikthehet apo jo në Kuvendin e Shqipërisë.

Por, kur sesioni i ri parlamentar nis më 1 shtator dhe koha e vendimmarrjes po shkurtohet, opozita po bën disa veprime kaotike, duke u lënë vend hamendësimeve dhe spekulimeve.

Nga njëra anë, këto 41 ditët e fundit, Partia Demokratike ka denoncuar pa rreshtur kryeministrin Edi Rama si frymëzues të dhunës së opozitës në Parlament dhe si protektor të deputetëve me të kaluar kriminale.

Në këto deklarata qëndrimi i opozitës është i ashpër dhe e konsideron Parlamentin një vend të inkriminuar ose, siç e quan ndryshe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, Parlamenti është shndërruar në një strehë të krimit, ku opozita kërcënohet me jetë.

Por, pas 41 ditësh qëndrimi të ashper dhe bojkoti total të Parlamentit dhe çdo aktiviteti tjetër të tij, Partia Demokratike ka bërë një lëvizje të ndryshme.

Disa përfaqësues të lartë të opozitës në Parlament kanë zhvilluar në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë një takim zyrtar me kolegët japonezë, të cilët ndodhen në Tiranë për një vizitë zyrtare me ftesë të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

Megjithatë, kjo lëvizje nuk mund të analizohet si një hap i Partisë Demokratike drejt hyrjes në Parlament, i cili po vizitohet njëkohësisht edhe nga një delegacion i lartë i Bundestagut gjerman, që për Shqipërinë është dukshëm më i rëndësishëm sesa ai japonez.

Por burime zyrtare konfirmojnë për Top Channel se Partia Demokratike ka zgjedhur të mos jetë pjesë e aktiviteteve parlamentare me delegacionin e Bundestagut gjerman. Dhe në fakt, delagcioni i Budenstagut nuk u takua nga përfaqësuesit e PD në selinë e Kuvendit, por u prit në selinë e saj në godinën e ish-SHQUP-it.

Mbeten ende të panjohura arsyet përse Partia Demokratike përdor dy standarde brenda ditës me dy delegacione parlamentare, por fakt është që opozita paradite, me japonezët, e njeh Kuvendin, ndërsa pasdite, me gjermanët, jo!

Kjo e vështirëson shumë një hamendësim sa më pranë së vërtetës, nëse opozita do të jetë apo jo pjesë e Parlamentit gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar.

Top Channel